Nëse, si në rastin e Neymar Jr, je i apasionuar pas makinave dhe Batman është superheroi yt i preferuar…, atëherë është krejt natyrale të kesh një “Batmobil” në garazh. Ish-ylli i Barcelonës dhe PSG-së tashmë e ka realizuar këtë ëndërr, duke blerë një “Batmobil” për 1.3 milionë euro, sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”.
Ylli brazilian (që këtë sezon do të luajë me Santosin) ka marrë në zotërim një nga modelet më mbresëlënëse në botë të “Tumbler Batmobil”, mjetit legjendar të përdorur nga Batman, ndoshta falë milionave të përfituara gjatë periudhës së tij në Ligën Saudite. Në muajt e fundit ai është parë gjithashtu me një “Audi R8 Spyder V10 Plus”, një “Ferrari Purosangue”, një “Bentley Continental GT”, një “Aston Martin DBX” dhe një “Lamborghini Huracán”.
Mendohet se ky “Batmobil” është një nga 10 njësitë që Warner Bros prodhoi për të festuar 85-vjetorin e “njeriut-lermushkë”, një makinë që dikur kushtonte 2.99 milionë dollarë. Bëhet fjalë për një mjet 4.65 metra të gjatë dhe 2.8 metra të gjerë (pra i papërshtatshëm për garazhe të përbashkëta), i ndërtuar mbi një shasi tubolare me karroceri prej fibre karboni dhe kevlari, si dhe i pajisur me motor 6.2 V8 me 525 kuaj fuqi.
Në fakt, më shumë sesa performanca, ajo që tërheq më shumë vëmendjen te “Tumbler Batmobil” janë pajisjet e tij të veçanta (si një makinë e James Bond-it). Automjeti i ri i Neymar ka aftësinë të lëshojë bomba tymuese, përmban një imitim motori reaktiv, mitralozë (jo funksionalë, natyrisht), flapse lëvizëse dhe kabinë me dy vende (për Batman-in dhe Robin-in).
“Batmobil Tumbler” është makina që Bruce Wayne përdori për aventurat e tij si Batman në trilogjinë e drejtuar nga Christopher Nolan dhe me aktorin Christian Bale në rolin kryesor; Batman Begins (2005), The Dark Knight (2008) dhe The Dark Knight Rises (2012).
Neymar Jr është një fans i flaktë i sagës së Batman-it dhe këtë e ka shprehur në më shumë se një rast (madje ka edhe një tatuazh të logos së “njeriut-lermushkë” në shpinë). Ai ishte i pranishëm në premierën e “The Batman” në vitin 2022, ku nuk i rezistoi tundimit për të hipur në “Batmobilin” e Robert Pattinson. Ndoshta pikërisht aty nisi dëshira për ta pasur një të vetin. Në shumë raste është shfaqur i veshur me rroba apo maska të personazhit, por tani duket se e ka çuar pasionin e tij në një tjetër nivel.
The post Çmenduria e fundit e Neymar. Shpenzon 1.3 milionë euro për një “Batmobil”, që… nuk mund ta ngasë appeared first on Telesport.