Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se nga nesër rikthehet funksionaliteti i plotë i shërbimit “Prishtina Parking” në kryeqytet.
Mirëpo, menjëherë pas këtij njoftimi ka reaguar Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), e cila ka sqaruar se një veprim i tillë nuk mund të bëhet pa ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës.
Në reagimin e saj, CSL ka theksuar tri pika kryesore:
Funksionimi i plotë i menaxhimit të parkingjeve publike nuk është i mundur pa ndryshimin e Rregullores ekzistuese.
Ndryshimet duhet të bëhen në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës P.A.Nr.02/2025, të datës 16 prill 2025.
Procesit të ndryshimit dhe plotësimit të Rregullores duhet t’i paraprijë konsultimi publik dhe respektimi i procedurave ligjore për miratim, shqyrtim të ligjshmërisë dhe hyrjes në fuqi.
CSL ka bërë thirrje që autoritetet komunale të respektojnë aktgjykimet dhe procedurat ligjore, duke nënvizuar se çdo vendim i nxituar mund të cenojë të drejtat e qytetarëve dhe transparencën institucionale.
Lidhur me konstatimet e Gjykatës Supreme dhe qëndrimin e CSL-së për Rregulloren në fjalë, ju lutem referojuni komunikatës sonë të datës 8 maj 2025, e bashkëngjitur në këtë link: https://www.facebook.com/share/p/1Q3daBi8aQ/