Clark: UÇK-ja dëshironte një Kosovë multientike

Pas rinisjes së seancës gjyqësore, Clark u pyet nga avokati i Thaçit nëse kishte informacione se UÇK-ja synonte të shënjestronte pakicat, ai tha se nuk kishte informacione të tilla.

Sipas gjeneralit amerikan, nuk kishte ndonjë koordinim nga UÇK-ja për të shënjestruar serbët dhe se Thaçi nuk kishte motiv që të përfshihej në akte të tilla.

Ai tha se UÇK-ja kishte deklaruar se dëshironte një Kosovë multietnike, duke theksuar se besonte se ishte e sinqertë në këtë deklaratë.

Ai foli për situatën pas luftës dhe për aktet e dhunës. Clark tha se kishte një sërë faktorësh që kontribuan në dhunë, duke treguar se shqiptarët e kthyer ishin të mllefosur dhe të frikësuar.

Ai tregoi një ngjarje kur në mes të prillit të vitit 1999, avionët e NATO-s kishin sulmuar traktorë në Drenicë, pasi kishin parë se njerëzit në ata traktorë ndaleshin dhe digjnin disa shtëpi. Më pas u kuptua se ata kishin qenë civilë shqiptarë.

Clark kujtoi se disa vjet më vonë ishte takuar me një shqiptar nga Kosova që i kishte thënë se ai kishte qenë në këta traktorë dhe ai e kishte pyetur pse i digjnin shtëpitë dhe ai i kishte thënë se më mirë t’i digjnin sesa t’i merrnin serbët.

“Kjo tregon se sa të forta ishin ndjenjat, sa të mllefosur dhe të frikësuar ishin. Është e vështirë t’iu thuhet qetësohuni”, tha Clark, duke shtuar se nuk kishte polici që ta merrte situatën nën kontroll./rel