Pensionistët nuk e kanë më obligim të paraqiten çdo gjashtë muaj në autoritetet shtetërore për të dëshmuar që janë gjallë, në mënyrë që t’iu vazhdohet pensioni. Kështu, ka vendosur Gjykata Supreme, duke shpallur të paligjshëm disa nene të Udhëzimit Administrativ që parashohin këtë detyrim.
Ky aktgjykim është marrë mbi bazën e padisë së E.Sh kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT)– Departamentit të Pensioneve.
Supremja ka shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 4, paragrafin 2, të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve. Gjithashtu, janë shfuqizuar edhe nenet 5, paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij UA.
Çfarë përcaktojnë këto nene, tashmë të shfuqizuara?
Neni 4 [Lajmërimi i pensionistëve], paragrafi dy thotë se “Shfrytëzuesit e pensionit janë të obliguar që të lajmërohen personalisht çdo 6 muaj përkatësisht 180 ditë, në zyrat më të afërta të Departamentit të Pensioneve”.
Kurse, neni 5 [Suspendimi nga pagesa]: paragrafi 1 thotë se “Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar nënenin 4 paragrafin 2 të këtij udhëzimi, suspendohet përkohësisht nga pagesa e mëtejme e pensionit”.
Pika 2 e këtij neni parashihte “Pensionisti që është suspenduar sipas paragrafit 1 të këtij neni, i vazhdohet pagesa e pensionit, nëse pensionisti lajmërohet në zyrën përkatëse pensionale, brenda tre (3) muajsh nga data e suspendimit”.
Tutje, në pikën 3 thuhet se “Në rast se pensionisti, lajmërohet brenda tre (3) muajve nga data e suspendimit, duke llogaritur muajin e lajmërimit, Departamenti i Pensioneve, përkatësisht zyra e pensioneve, është e detyruar t’ia paguajë pensionet e papaguara maksimalisht për tre (3) muaj”.
Dhe pika 4 e nenit 5 thotë se “Në rast se pensionisti, nuk lajmërohet në afat prej tre (3) muajsh apo nëntëdhjetë (90) ditë, nga data e suspendimit, kërkesa e tij konsiderohet si riaplikim ndërsa pagesa do të rrjedhë nga dita (muaji) e paraqitjes së kërkesës”.
Sipas vlerësimit të Supremes, ky Udhëzim Administrativ ka krijuar rregulla që tejkalojnë dispozitat e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, veçanërisht në atë pjesë ku është vendosur afati tremujor, kufizimi i kompensimit dhe riaplikimi i detyrueshëm pas kalimit të këtij afati.
Supremja thekson se edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se aktet nënligjore vlejnë vetëm për aq kohë janë në pajtim me ligjin, ndërsa parimi i legalitetit kërkon që organet administrative të veprojnë vetëm brenda autorizimit të dhënë nga ligji. Dhe se një rregullim i tillë nënligjor i cili prek në mënyrë materiale të drejtat e qytetarëve, siç trajtohet pensioni, mund të bëhet vetëm me ligj dhe jo me akt nënligjor.
Tutje, thuhet se Udhëzimi Administrativ ka vendosur rregulla që ndryshojnë dhe kufizojnë vetë të drejtën e pensionit, duke vendosur një afat tremujor brenda të cilit pensionisti duhet të lajmërohet që t’i vazhdohet pagesa, duke kufizuar kompensimin e pensioneve të papaguara vetëm për tre muaj prapa, si dhe duke e trajtuar paraqitjen pas këtij afati si riaplikim, me ç’rast pensionisti humb pagesat e periudhës në mos-lajmërim.
“Këto kufizime kanë pasoja të natyrës materiale dhe ndikojnë drejtpërdrejt në ekzistencën e të drejtës së pensionit dhe përbëjnë kufizim të gëzimit të kësaj të drejte. Gjykata vlerëson se kompetenca e Ministrisë për nxjerrjen e akteve nënligjore duhet të kufizohet brenda autorizimit të dhënë nga ligji. Në mungesë të autorizimit ligjor për krijimin e afatit tremujor, për kufizimin e kompensimit dhe për riaplikimin e detyrueshëm, dispozitat përkatëse të Udhëzimit Administrativ vlejnë si rregulla të nxjerra ultra vires, duke tejkaluar qartë autorizimin e deleguar”, thuhet në aktgjykim.
Në vlerësimet e Supremes, Ligji nuk përmban asnjë element që do t’i jepte Ministrisë kompetencë të krijojë afate materiale, të vendosë humbje të pensioneve ose të ndryshojë statusin e përfituesit në rast moslajmërimi.
Sa i përket rastit konkret, Supremja thotë se Ligji përcakton qartë se detyrimi për paraqitje periodike vlen vetëm për dy kategori specifike të pensioneve: pensionin bazik të moshës dhe pensionet e parakohshme dhe nuk zgjerohet në kategori tjera, që në këtë rast paditësi ka qenë përfitues i pensionit kontributpagues.
Për me tepër, Supremja thekson se struktura e nenit 24 të Ligjit tregon qartë që ligjvënësi ka krijuar një rend të detyrimeve dhe veprimeve që Ministria duhet t’i ndërmarrë me qëllim që të sigurohet ndërprerja e pagesës së pensionit pas vdekjes së pensionistit, duke mos ngarkuar kategoritë e tjera me detyrime që ligji nuk i parashikon.
Sipas aktgjykimit, paragrafi 1 i këtij neni obligon Ministrinë të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim identifikimin e pensionistëve që kanë vdekur, duke sinjalizuar qartë se përgjegjësia primare për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit.
“Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Në vijim, paragrafi 3 parashikon se Ministria “mund” të suspendojë përkohësisht pagesën e pensionit vetëm në rastet kur pensionisti nuk paraqitet sipas paragrafit 2. Përdorimi i fjalës “mund” nuk është i rastësishëm dhe reflekton parimin e diskrecionit administrativ të kufizuar, duke imponuar detyrimin që organi publik të vlerësojë në mënyrë të arsyetuar të gjitha rrethanat dhe alternativat për verifikimin e statusit të pensionistit”, arsyeton tutje vendimi.
Supremja rithekson se kuptimi juridik i fjalës “mund” nënkupton se masat e suspendimit janë të lejuara vetëm pasi Ministria të ketë shfrytëzuar dhe të ketë konstatuar pamjaftueshmërinë e të gjitha formave tjera alternative të mbledhjes së informatave.
“Mosparaqitja e pensionistit në zyrë, vetvetiu, nuk krijon automatikisht kushtet për suspendim, sidomos kur ligji obligon Ministrinë të përdorë burime të tjera informimi, që sipas vlerësimit të kësaj gjykate mund të jenë si: regjistrat civilë, të dhënat e organeve të gjendjes civile, databazat shtetërore apo forma të tjera të verifikimit të statusit jetësor”, thekson tutje Supremja.
Sipas Supremes, suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit (ultima ratio) dhe jo e para. Andaj, edhe dispozitat e këtij UA janë të kundërligjshme.
“Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata ka vlerëson se neni 24 i ligjit është dispozita e vetme ligjore që rregullon mënyrën e verifikimit të statusit të pensionistit, detyrimin për paraqitje/lajmërim dhe mundësinë e suspendimit të pagesës së pensioneve për shkak të mosparaqitjes.
“Nga leximi sistematik dhe i plotë i këtij neni rezulton qartë se: së pari, detyrimi për t’u paraqitur një herë në gjashtë muaj është i paraparë vetëm për dy kategori të pensioneve pensionin bazik të moshës dhe pensionet e parakohshme (paragrafi 2). Ligji nuk e zgjeron këtë detyrim tek asnjë kategori tjetër e përfituesve të pensioneve, përfshirë pensionet kontributpaguese të moshës, pensionet invalidore, pensionet e paaftësisë së përhershme apo pensionet familjare. Së dyti, edhe mundësia e suspendimit të pagesës së pensionit për shkak të moslajmërimit është lidhur në mënyrë ekskluzive me kategoritë e parashikuara në paragrafi”, thuhet në vendim.
Edhe për kategori, barra e verifikimit i bie fillimisht ministrisë, dhe pensioni mund të suspendohet deri në verifikim, por jo të ndalet siç është vepruar deri me tani, vlerëson shkalla e tretë.
Gjykata thotë se ligjvënësi ka zgjedhur të vendosë detyrim të rregullt fizik të paraqitjes vetëm për dy kategori të cilat i nënshtrohen verifikimit më të shpeshtë për shkak të rrezikut më të lartë të keqpërdorimit ose ndryshimit të statusit.
Veç kësaj, Supremja thotë se paragrafi 4 i nenit 24, i cili autorizon Ministrinë të nxjerrë akt nënligjor, nuk i jep autoritet për të krijuar detyrime të reja materiale apo për të zgjeruar kategoritë e pensioneve të përfshira në detyrimin e lajmërimit. Por, ky paragraf i jep Ministrisë kompetencë vetëm për të përcaktuar mënyrën e suspendimit nga pagesa të pensionistëve të atyre kategorive që ligji tashmë i ka bërë subjekt të paraqitjes gjashtëmujore.
“Prandaj, gjykata çmon se çdo rregullim nënligjor që imponon lajmërim të detyrueshëm, afate të reja materiale, suspendim të automatizuar apo pasojë të humbjes së pensioneve për kategori që ligji nuk i ka përfshirë shprehimisht, është i paligjshëm”, thuhet tuje në arsyetim.
Ndërsa, thuhet se Gjykata, gjatë vendosjes, ka pasur parasysh interesin e cenueshëm të paditësit dhe, për këtë arsye, ka shfuqizuar vetëm ato dispozita të udhëzimit administrativ që lidhen drejtpërdrejt me këtë interes. Kurse, sa i përket pretendimit të paditësit se Gjykata, sipas detyrës zyrtare, duhet të shqyrtojë ligjshmërinë e tërë udhëzimit administrativ në tërësi, Supremja vlerëson se ajo nuk ka kompetencë të ushtrojë kontroll të përgjithshëm normativ ex officio, por mund të vlerësojë ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara vetëm në atë masë që ato kanë prodhuar pasoja ndaj paditësit.
Lidhur me kërkesën për kompensimin e tre pensioneve që paditësit i janë suspenduar në lartësi prej 954 euro, Gjykata vlerësoi këto kërkesa nuk i nënshtrohen juridiksionit të kësaj gjykate.













