,

Çka tha Kurti, Vuçiq e Borrelli pas takimeve në Bruksel

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, mbrëmë vonë ka bërë një përmbledhje të takimeve gjatë së enjtes në Bruksel.

Lajçak duke folur për detyrimet që i takojnë palëve t’i përmbushin, tha se edhe Serbia ka shumë obligime të pazgjidhura nga marrëveshja.

“Edhe Serbia ka shumë obligime të pazgjidhura nga Marrëveshja dhe ne duhet të shohim që zbatimi të përparojë paralelisht, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të marrin atë që kanë rënë dakord. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa. Siç u shpreh qartë tre liderët evropianë, formalitetet nuk duhet të pengojnë këtë proces të rëndësishëm. Me këtë në mendje, unë do të ftoj kryenegociatorët së shpejti në Bruksel për të diskutuar hapat e ardhshëm”, ka thënë Lajçak.

Ai theksoi se takimet u mbajtën me qëllim që të vazhdohen diskutimet gjatë misionit të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd dhe që të avancohet zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit.

“Ato që ishin planifikuar të ishin takime të shkurtra me liderët evropianë, u kthyen në negociata të gjata të ndara me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti pasi liderët evropianë duhej të largoheshin për në Këshill” – tha Lajçak teksa shtoi se e mirëpriti që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet.

Lajçak në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar se Kurti dhe Vuçiq janë treguar të gatshëm për zbatimin e marrëveshjes, por kanë pasur mospajtime për modalitetin.

Sipas tij, Kurti dhe Vuçiq kanë pasur pyetje e komente, duke shtuar se shpreson se do të sqarohen gjatë javëve të ardhshme.

“Shpresoj se do të jemi në gjendje të sqarojmë pyetjet dhe shqetësimet e hapura në javët në vijim. Statuti ynë propozon një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane dhe nuk i kalon kufijtë e kuq të Palëve siç janë përcaktuar më parë. Por ky nuk është i vetmi element që ka nevojë për zbatim.

Përpos kësaj, Lajçak përmendi edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se po kërkojnë opsione moderne evropiane.

Çka tha Kurti?

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas takimeve që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit, por se pala tjetër nuk është.

“Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”, thuhet në komunikatë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.

Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet.

Kurti tha se edhe atëkohë ka qenë i gatshëm të nënshkruajë.

Çka tha Vuçiq?

Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimeve, Vuçiq tha se Serbia dëshiron t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me autoritetet e Kosovës.

Ai tha se, më 21 tetor, kur në Beograd priti të dërguarit perëndimorë, mori një letër që ishte “bazë e mirë për të ardhmen”.

Tha se ajo i referohet ekskluzivisht formimit të Asociacionit, por se nuk mund të flasë për detajet, sepse marrëveshja është e tillë që të mos flitet.

“Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë”, u tha Vuçiq gazetarëve.

Por, shtoi ai, Serbia “nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës” – hapa që, në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë.

“Nuk u bë fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrim të ndonjë gjëje”, por “për zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë”, tha presidenti serb.

Çka tha Josep Borrell

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

Ai konfirmoi se temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u prezantua në Prishtinë dhe në Beograd më 21 tetor.

“Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit”, tha Borrell.

Sipas tij, kjo “mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut, sepse është e vetmja mënyrë për të përparuar në rrugën evropiane”.

“Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje. Por sot, për fat të keq, nuk ishte e mundur”, tha kryediplomati evropian.

Kurti dhe Vuçiq u pritën të enjten në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet u cilësuan si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, pas sulmit të armatosur në Banjskë./Express

Related Posts