Vendimi i fundit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik të planifikuar me Kosovën vlerësohet si shuplaka më e rëndë që ka mundur t’i jepet vendit, e që sipas njohëse të fushës do t’iu jap hapësirë kundërshtarëve të Kosovës, të veprojnë. Për analistët ky vendim ishte i pritshëm.
Humbjet që Kosova mund t’i pësojë pas vendimit të SHBA-së për pezullim të Dialogut Strategjik të planifikuar, vlerësohet se prekin disa aspekte.
Pasoja e parë, sipas ligjëruesit në universitetin “AGDER” në Norvegji, Abit Hoxha, ndikon marrëdhëniet tradicionale me aleatin strategjik.
“Humbja më e madhe e institucioneve të Kosovës është prishja e asaj simbolikës së marrëdhënieve me SHBA-në që i jep mundësi shumë të madhe Serbisë dhe vendeve që nuk e njohin Kosovën ose kanë aktivizëm diplomatik kundër Kosovës, të marrin masa. Çështja e dytë që Kosova humb është ai përfitimi ekonomik ku dialogu strategjik është i fokusum”, ka thënë Abit Hoxha, Ligjërues në Norvegji.
Sipas Hoxhës, një vendim i tillë ishte i pritshëm.
“Ka pesë-gjashtë vitet e fundit të cilat Kosova nuk ka mundur të përmirësojë diçka në raport me SHBA-në dhe BE-në e pikërisht fajtor për këtë është qasja e gabueshme, mungesa e rolit total të MPJD-së, politikave të jashtme dhe njëfarë arrogance e pushtetit të Kosovës që ka menduar se BE-ja dhe SHBA ka borxh të merret me Kosovën”, ka thënë Abit Hoxha, Ligjërues në Norvegji.
Për ish-diplomatë, mesazhi që u përcoll ishte i qartë.
“Ai afati i papërcaktuar në gjuhën diplomatike është një mesazh tjetër, ndryshoni diçka ashtu që ne të vazhdojmë më tutje dhe po e them haptazi, sipas mendimit tim, është mesazhi: Ndryshojeni strukturën politike dhe ne vazhdojmë, aty ku e kemi lënë”, ka thënë Blerim Canaj, ish-diplomat.
Dialogu strategjik është proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së e zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ndonëse Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk u deklarua vet, Qeveria tha përmes një deklarate se i pranojnë edhe kritikat dhe se kur ato janë konkrete, përpiqen të përmirësojnë dhe korrigjojmë hapat dhe veprimet e tyre.