Edhe pse Gjykata Supreme e Kosovës rrëzoi disa dispozita të rregullores për parkim në Prishtinë, ndërmarrja publike “Prishtina Parking” vazhdon të funksionojë sipas së njëjtës rregullore, tani me disa ndryshime, pa një vendim të ri nga Kuvendi Komunal.
Në prill 2025, Gjykata shpalli antikushtetuese nëntë nene të rregullores së miratuar nga Komuna e Prishtinës më 21 dhjetor 2023.
Ndër pikat më të rëndësishme të rrëzuara ishin bllokimi i veturave vetëm 10 minuta pas mospagesës dhe kufizimi i pagesës vetëm përmes telefonit.
Në aktgjykim u theksua se këto masa ishin diskriminuese për qytetarët pa akses në teknologji dhe përbënin shkelje të të drejtave të njeriut.
Megjithatë, edhe pas këtij vendimi, në terren sistemi i pagesave ka vazhduar të jetë aktiv, me disa ndryshime të brendshme që nuk janë formalizuar me një rregullore të re.
Kjo nënkupton se “Prishtina Parking” po operon me rregulloren e rrëzuar nga Gjykata Supreme, pa miratim të ri nga Kuvendi Komunal.
Qytetarët ishin ankuar se po paguajnë për një shërbim që realisht nuk funksionon.
Një banore e lagjes Dardania, që kishte paguar 150 euro për një vit, parkim vjetor, por tani vendi i saj përdoret nga kushdo.
Edhe të moshuarit kanë kritikuar faktin që banorët rezidentë detyrohen të paguajnë për parking, ndryshe nga praktikat në shumicën e vendeve të tjera, ku parkimi për banorët është i garantuar dhe falas.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës të datës 16 prill 2025, kufizimet e vendosura nga Komuna bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.