Çka ndodhi me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së Bajram Emini nga autoritetet maqedonase?

Bajram Emini, një 55-vjeçar nga Ferizaji, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është arrestuar në pikën kufitare të Bllacës, pas ndalimit nga autoritetet maqedonase.

Ai u ndalua pasi në sistemin e policisë kufitare u shfaq një fletë-arrest ndërkombëtar i lëshuar nga Beogradi.

Pas ndalimit, Emini u shoqërua për në stacionin policor, ndërsa për fatin e tij ende nuk ka informacione të qarta nga institucionet maqedonase.

Megjithëse arrestimi i tij ka ndodhur më 15 shkurt, pra gati dy javë më parë, deri më tani nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar mbi vendimin e autoriteteve maqedonase lidhur me ekstradimin ose lirimin e tij.

Telegrafi ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës për të marrë një përgjigje mbi këtë çështje, por ende nuk ka marrë asnjë reagim zyrtar.

Po ashtu, Ambasada e Kosovës në Shkup nuk ka dhënë detaje rreth rastit, pavarësisht interesimit të mediave dhe institucioneve.

Gjatë vitit 2024, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani –një muaj pas arrestimit nga policia maqedonase – ka ikur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut kishte njoftuar se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup.

Me këtë vendim ishte paraparë që ai të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.

Arrestimet e kosovarëve nga Serbia dhe shqetësimet për transparencën e proceseve

Bajram Emini nuk është rasti i vetëm i një ish-ushtari të UÇK-së që përballet me arrestim në bazë të fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia.

Dy shtetas të tjerë të Kosovës, Nezir Mehmetaj dhe Tefik Mustafa, ndodhen ende në paraburgim në Serbi, të akuzuar për krime lufte.

Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e Serbisë e dënoi Nezir Mehmetajn me gjashtë vjet burg nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës, gjatë luftës së vitit 1999.

Institucionet e Kosovës kanë reaguar vazhdimisht ndaj këtyre rasteve, duke kërkuar lirimin e qytetarëve kosovarë që mbahen në Serbi nën akuza për krime lufte.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës, në korrik të vitit 2024, kërkoi nga autoritetet serbe që të ekstradojnë në Kosovë të gjithë shtetasit kosovarë që janë arrestuar dhe po mbahen në Serbi.

Megjithatë, Serbia ka liruar vetëm dy shtetas kosovarë gjatë vitit të fundit. Ish-pjesëtari i UÇK-së, Hasan Dakaj, u lirua nga paraburgimi më 3 janar 2025, pasi kishte kaluar një vit në burg nën akuzën për krime lufte.

Ai ishte arrestuar më 5 janar 2024 në pikëkalimin kufitar të Merdarës. Po ashtu, Sadik Duraku, i cili ka shtetësi të dyfishtë – kosovare dhe britanike – u lirua më 15 tetor 2024, pas pesë muajsh paraburgimi në Serbi.

Shqetësimet për proceset gjyqësore dhe transparencën e akuzave

Arrestimet e vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe kanë sjellë reagime të forta nga institucionet e Kosovës dhe organizatat që përfaqësojnë ish-luftëtarët e UÇK-së.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, proceset gjyqësore për krime lufte në këtë shtet vazhdojnë të karakterizohen nga mungesa e transparencës dhe vështirësitë në qasjen në informacion.

Organizata ka theksuar se mungesa e dëshmitarëve në këto raste mbetet një problem i madh dhe se për më shumë se dy vjet, Prokuroria serbe nuk ka qenë në gjendje të sigurojë asnjë dëshmitar kyç për çështjet e ndërlidhura me krimet e luftës.

Në Raportin e Progresit për Serbinë të Komisionit Evropian për vitin 2023, është theksuar se ritmi i gjykimit të rasteve të krimeve të luftës në Serbi është ngadalësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Bashkimi Evropian ka kërkuar nga autoritetet serbe që të përmirësojnë përkushtimin për gjykimin e këtyre rasteve në mënyrë të drejtë dhe transparente.

Për momentin, fati i Bajram Eminit mbetet i pasigurt, ndërsa institucionet e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare pritet të ushtrojnë trysni për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent për të dhe të gjithë qytetarët kosovarë që po përballen me akuza të ngjashme./Telegrafi/