Shkruan: Burim Gjaka
Derisa jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare, çdo ditë ndëgjoj e lexoj premtime e zotime të ndryshme sa i përket arsimit. Disa nga to kaherë janë të tilla e përsëriten me vite, disa duken bukur në letër dhe të këndshme kur ndëgjohen, disa janë fare të pamatshme e të parealizueshme dhe shumë më pakë priten të realizohen. Të gjithë kemi ngapak ide e dëshira të ndryshme se si duhet të duket arsimi ynë, disa e kanë pasur mundësinë ta rregullojnë e s`e kanë bërë, mirëpo një gjë që na bashkon të gjithëve dhe pajtohemi të gjithë se arsimin nuk e kemi mirë dhe duhet ta ndryshojmë. Mirëpo për ta ndryshuar duhet seriozitet, para dhe njerëz të cilët kanë një pasqyrë të qartë se si është arsimi sot dhe si do të duket nesër.
E di se ka me qindra gjëra që duhen ndryshuar në arsim dhe secili mund të ketë propozime dhe dëshira se si duhet të veprohet, mirëpo unë kësaj radhe, në këtë shkrim do të prezantoj vetëm disa pika që unë do të doja të intervenohet, nga kushdo qoftë që zgjedhet minister apo ministre dhe kryesisht kanë të bëjnë më infrastrukturën ligjore sepse konsideroj se krijimi i infrastrukturës ligjore është rruga nga e cila mund të ecet tutje. Natyrisht se ngritja e pagave, intervenimet në infrastrukturën fizike, furnizimi me mjete e paisje, digjitalizimi etj, janë imediate për kohën, mirëpo me që ato po përmenden nga të gjitha forcat politike, unë do të ndalem te disa qështje me të vogla, më të prekshme dhe me lehtë të realizueshme e që nesër do të ndikonin direkt te nxënësi, prindi, mësimdhënëi, Drejtori i Shkollës etj.
Fillimisht do të doja që cilado forcë politike që do ta drejtoj Ministrinë e Arsimit nesër, ta emëroj ministër/e një njeri që ka dijen, guximin për të bërë ndryshime dhe që shkelë me “këmbë në tokë”. Ministri i ardhëshëm i arsimit do të duhej të vinte nga nga fusha e arsimit, një njeri i dëshmuar i cili ka dhënë më parë për arsimin dhe jo ta shfrytëzoj pozitën vetëm për të marrë nga ajo. Poashtu ekipa e tij prej zëvendësministrave, këshilltarëve etj. do të duhej të ishin njerëz të kësaj fushe. Hapja ndaj njerëzve që kanë unin dhe ekspertizën në arsim, këshillimi dhe koordinimi me ta si dhe dalja e shpeshtë në vizita shkollave dhe institucioneve tjera arsimore për t`u njohur me problemet, hallet dhe propozimet e tyre do të duhej të ishin busolla orjentuese e një Ministri të Arsimit nesër.
Ministri i Arsimit nesër do të duhej që të avokonte ne Qeveri dhe në koordinim të përhershëm me Ministrinë e Financave të ndryshohet formula financiare e shkollave. Sot shteti i Kosvës për shkolla ndanë 23€ në vit për kokë nxënësi dhe 1500€ grant qeveritar. Kjo formulë është duke i shkatërruar shkollat sepse mbi 50% e shkollave në Kosovë janë në zona jourbane e që numri i nxënësve është i vogël. Vetëm sa për ilustrim, p.sh një shkollë me 100 nxënës për 1 vit shkollor i ka të ndara nga shteti 3800€, për të gjitha mallrat dhe shpenzimet duke përfshirë edhe ngrohjen. Këto mjete financiare sot nuk i mjaftojnë një familje 4 anëtarëshe, për 3 muaj, se le më një shkolle me 100 nxënës për 1 vit shkollor.
Duhet të avokohet në Qeveri që të ndryshohet ligji i pagave apo të paktën të amandamentohet për sferën e arsimit sepse ky aktuali që është, përveq që është i pafavorshëm është edhe diskriminues, jo barabartë dhe shkelë të drejtat e punëtorëve të arsimit. Ligji aktual ka hequr nga përmbajtja kualifikimin e mësimdhënësve që është tejet inorante t`ia moshosh dikujt shkollimin. Sot paguhet njëjtë si doktorri i shkencës, sikurse ai me 180 kredi, biles kur ka edhe disa raste që fare s`kanë drejtime arsimore dhe paguhen njëjtë. Është nënëmuese t`i mohohet dikujt shkollimi sepse është demotivim për të tjerët që të kryejnë shkollë. Mandej ky ligj, ka ndryshuar pagesën e përvojës së punës duke bërë 15 vitet e para të përvojës 0.25€ për vit dhe jo siç ka qenë 0.50€. Edhe përkundër faktit se Gjykata Kushtetuese ka nxjerrur vendimin nr.2316/24, më 23 janar 2024, ku kërkon nga Qeveria kthimin e përvojës siç ka qenë, kjo gjë ende nuk ka ndodhur as pas një viti. Ky vendim dëmton një mësimdhënës p.sh me 20 vite përvojë afërsisht 40€ nè muaj.Pastaj nuk mundet që drejtori i një shkollë ta ketë koeficientin për vetëm 0.6 më të madh se mësimdhënësi sepse pastaj me vlerësim performance mësimdhënësi e kalon drejtorin me pagë, kurse drejtorit s`i mundësohet fare ngritja në karrierë edhe përkundër faktit se çdo 4 vite i vlerësohet performanca.
Kontrata Kolektive deri më tani ka qenë barrë e komunave dhe e mësimdhënësve. Është nënshkruar nga Ministria e Arsimit por barrën e kanë pasur Komunat, të cilat nuk kanë pasur as buxhet e as kod buxhetor për këtë çështje dhe janë dëmtuar nga përmbarimi duke u bllokuar në vazhdimsi me mungesë buxheti. Poashtu mësimdhënësit janë detyruar që të vrapojnë pas avokatëve e përmbaruesëve duke u detyruar që të paguajnë për realizimin e një të drejte që është nënshkruar në institucionet tona. Kontrata Kolektive duhet të hartohet bashkërisht nga Sindikatat dhe MASHTI, në koordinim me Ministrinë e Finacave, pastaj komunave t`u ndahet kodi buxhetor dhe të filloj zbatimi i saj. Ministri i ardhëshëm i Arsimit duhet të punojnë në këtë linjë.
Sot jemi dëshmitarë që shkollat shpeshë mbesin pa mësimdhënës si pasojë e mungesës së kuadrove në disa lëndë mësimore. Ministria e Arsimit duhet ta trajtoj këtë qështje. Do të ishte e rrugës që të shikohet ndonjë mundësi ligjore të përgatiten mësimdhënës për fusha kurrikulare dhe jo për lëndë mësimore, sidomos në gjuhë gjermane, shkencat e natyrës, TIk etj.
Do të duhej të rishikohej ose ndryshohej në tërsi Udhëzimi Administrativ 15/2023 për vlerësimin e performancës së mësimdhënsve sidomos te vlerësimi i brendshëm sepse si i tillë çfarë është, kërkon shumë resore profesionale të cilat mbi 80% të shkollave nuk i kanë. Kërkohet ekipë profesionale me staf pedagogjik, të cilat shumica e shkollave nuk i kanë, në shumicën e shkollave mësimdhënësit në kuadër të fushave nuk mund të takohen kurrë se le më t`a vlerësojnë njëri-tjetrin dhe pothuajse në vlerësimin e brendshëm të çdo mësimdhënsi bëhen improvizime vetëm sa për të thënë. Me fjalë tjera është vetëm simbolikë në letër prandaj duhet të ndryshoj, të gjenden modele tjera më të lehta për vlerësimin e mësimdhënsve por që janë më profesionale dhe kur bëhen të bëhen si duhet. Pra vlerësimi duhet të prodhoj cilësi dhe cilësia nuk mund të jetë në nivel kur bëhet “ shkel e shko”.
Poashtu U.A 14/2023 për licensimin dhe rilicensimin e mësimdhënësve duhet të rishikohet. Me vite e vite janë maltretuar mësimdhënësit duke kryer trajnime të cilat shpeshë nuk vlejnë asgjë ose janë të pa akredituara. Ky Udhëzim obligon Drejtorin e Shkollës që së bashku me një ekipë, ta vlersoj mësimdhenësin që ai të ketë mundësi të aplikoj për licensim, rilicensim apo avancim në karrierë, mirëpo askush nga shkollat nuk e ka një pasqyrë të qartë kush duhet të vlerësohet tani, kush më vonë e kështu me radhë, sepse mësimdhënësit deri më tani janë paisur me vetëm një license, biles shumica nga viti 2012. Ishim dëshmitarë të testimit për licensë të avancuar se çfarë ndodhi dhe kjo është dëshmi e mjaftueshme se punët që fillojnë pa një analizë të mirëfilltë shndërrohen në eksperimente të dështuara. Sot mësimdhënësit hargjojnë shumë nga pagat e tyre për të kryer trajnime me pagesë për ta arritur numrin e kredive të nevojëshme për licensim apo rilicensim e kjo nuk do të duhej të ishte kështu sepse shteti duhet t`ua mundësoj mësimdhënsve që të përgatiten për këtë proces pa pasur nevojë të “blejnë qertifikata”. Duhet të krijohet Fondi për Zhvillim Profesional të mësimdhënësve nga ana e Ministrisë apo DKA-ve kur kërkohet diçka e tillë si kusht.
Do të doja që Ministri i ardhëshëm i Arsimit të orjentonte stafin e tij ta analizojnë mirë dhe ta ndryshojnë U. A 03/2016 për KDSH, sidomos te kompetencat e Kryetarit dhe Sekretarit te KDSH-së, sepse kështu siç është ky organ nuk po është funksional. Kryetari i KDSH-së ose duhet të jetë prind si tani, mirëpo të paguhet me një shumë simbolike për të qenë funksional ose kryetari duhet t`i takoj dikujt nga stafi i shkollës.
Duhet të punohet shumë në hartimin e një Udhëzimi që rregullon më ndryshe sesa tani diciplinën e nxënësve në shkolla, sidomos në SHMU. Jemi dëshmitarë se çdo ditë e më shumë diciplina e nxënësve është duke rënë, shpeshë herë mësimdhënësit pengohen nga nxënsit problematik në zhvillimin e procesit mësimor dhe shkollat vuajnë si pasojë e mungesës së një Udhëzimi që ua mundëson disa masa më rigoroze. Nuk duhet të lejohet që një individ ta pengojë një klasë apo shkollë të tërë që të zhvillohet procesi si duhet dhe prindi të arsyetohet se s`kam çfar t`i bëj fëmiut tëj dhe shteti të qëndroj duarkryq. Diciplina në shkolla sot është problem kyq deshëm apo jo ta pranojmë si të tillë dhe derisa nuk ka diciplinë nuk mund të ketë as sukses. Prandaj duhet të lëvizet në këtë drejtim, ndoshta është koha të mëndohet edhe për ndëshkime financiare ndaj prindërve, fëmijët e të cilëve pengojnë zhvillimin e procesit mësimor në shkolla. Nuk guxojmë një shoqëri e tërë të mbesim peng e disa individëve.
Problem në vete mbetet edhe qështja e drejtorëve të shkollave. Është komplikuar situarta e tyre sidomos tashmë kur eksiztojnë në fuqi U.A 106/2020 për vlerësimin e performancës së drejtorëve dhe zv.drejtorëve edhe Rregullorja QRK 19/2024, që rregullon proceduart e përzgjedhjes se tyre. Ka shumë qështje diskutabile dhe kontradiktore te këto dy dokumente prandaj duhet të rishikohen. Nuk mund të trajtohet Drejtori i Shkollës vetëm si punëtorë logjistike. Sot një drejtor shkolle ( vlenë për shkollat nën 500 nxënës) që është i vetmi si staf asdministrativ kryen menagjimin, administratën, financat, prokurimin, logjistikën etj dhe kufizohet në shumë qështje. Drejtori nuk ka mundësi ngritje as në karrierë e as në pagë. Si ka mundësi t`i kërkohet një Drejtori Shkolle ta vlerësoj një mësimdhëns i cili pas vlerësimit të paguhet më shumë sesa Drejtori, kurse Drejtorit nuk i mundësohet diçka e tillë?. Pse Drejtorit nuk i mundësohet licensa e avancuar e as ripërtritja e licensës bazike kurse në konkurse i kërkohet të jetë licensa valide? Pse një Drejtori i cili kalon pozitiv në vlerësimin e prformancës së tij nuk i mundësohet ngritja në pagë sikurse mësimdhënësit?
Këto dhe shumë tjera duhet të trajtohen me seriozitet të madh nga Ministri/ja i/e ardhëshëm, mirëpo jo vetëm nga zyra, mirëpo me takime dhe bashkëpunim me të gjithë akterët që kanë qasje në shkolla. Vetëm të bashkuar mund të ecim tutje, ndryshe Pisa do të harrohet.