Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, 12 persona fizikë (zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe pronar të kompanive) dhe tre persona juridikë, në lidhje me dallavere në procedura të tenderimit, me ç’rast pretendohet se janë paguar produkte deri në 1557% më shtrenjtë se çmimet reale të tregut.
Sipas aktakuzës së PSRK-së, në procedurën e prokurimit “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, zyrtarë të MASHTI-i akuzohen se kishin vepruar kundërligjshëm duke kontraktuar produkte që çmimin në treg e kishin shumë më të ulët sesa që Ministria i kishte paguar gjatë viteve 2019-2021.
Të akuzuar janë: Ardian Berisha, pronar i kompanisë “Shkëmbi Gllareva” Sh.P.K, Dashmir Limaj, Mërgim Limaj drejtor në kompaninë Fabrika e mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala, pronar i biznesit “A&F Projekti” SH.P.K., Fehmi Zylfiu i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj-Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demir – i punësuar në MASHTI. Ndër ta të akuzuar janë edhe tre persona juridik: “A&F Projekti” Sh.P.K., Fabrika e mobileve “Standard” Sh.P.K dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K.
Në prokurori Speciale të akuzuarit janë kundërpërgjigjur për pretendimet që prokurori i Prokurorisë Speciale, Dren Paca po i i ngarkon.
Kur i akuzuari Agim Berdynaj kishte dhënë mbrojtjen e tij në prokurori në lidhje me këtë tender, deklaronte se këtë proces tenderimi e kishte gjetur duke u implementuar.
Berdynaj në Prokurori deklaronte se në bazë të pozitës që kishte mbajtur në Ministri, kërkesat i kanë pranuar duke parë rëndësinë e tyre dhe nevojën e shkollave për pajisje me produkte të caktuara, ai i i kishte aprovuar.
Sipas deklaratës së dhënë në Prokurori, Berdynaj çdo aprovim të kërkesave të shkollave e kishte bërë gjithnjë duke u konsultuar me zyrën ligjore.
Kurse e pandehura, Arberita Mehmetaj e cila ka deklaruar se punon në MASHT që nga viti 2006 kurse pas vitit 2019 ka punuar si zyrtare e Prokurimit në MASHT. Në lidhje me projektin “Blerja e Pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove për fusha lëndore, ka deklaruar se në atë kohë ka qenë e liruar nga puna për shkak të arsyeve shëndetësore.
Tutje e njëjta ka deklaruar se në lidhje me një pretendim të prokurorisë “ngarkimi i masës me 877 pozicione” ka qenë duke punuar online për shkak të pandemisë dhe ka shtuar se pasi i kishte shkuar kërkesa dhe deklarata e disponueshmërisë së fondeve dhe paramana me 887 pozicione, është ngarkuar gabimisht. E akuzuara ka thënë në prokurori se pasi e ka përpiluar njoftimin për kontratë e ka publikuar në afat 24 ditë për aplikim nga operatorët ekonomike, procedurë e cila ka qenë e hapur për publikun.
I akuzuari tjetër Naim Demiri në prokurori ka deklaruar se në lidhje me projektet që janë pjese e kësaj aktakuze dhe specifikacionet teknike dhe kërkesat mbi mundësitë teknike dhe profesionale të dosjes së tenderit, i ka përgatitur vetë.
Në lidhje me kërkesën për të pasur inxhinier operatorët ekonomikë, ai ka thënë se është munduar të selektonin kompani më serioze me qëllim që kompania të kishte një standard më të lartë të kontrollit të cilësisë së produkteve, e t’i vendosnin pajiset nëpër shkolla, të përzgjidhini dizajnin e karrigeve dhe të tjera. Kurse sa i përket pretendimit të prokurorisë se produktet s’kanë ardhë nga vendet e BE-së, por nga Kina dhe Turqia, i akuzuari ka thënë se nuk kanë mundur t’i refuzojnë për shkak që kanë pasur certifikata të pranueshme.
Mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe i akuzuari Naim Demiri, i cili ka pranuar se i njeh Mërgim Limajn, Dashmir Limajn, Isah Elezajn, e disa persona të tjerë. Demiri në mbrojtjen e tij të dhënë në prokurori në lidhje me aplikimin e Agron Shakës, Isah Elezit dhe Jeton Kryeziut në aktivitetin e prokurimit të iniciuar nga MASHT, ka thënë se është e drejtë e tyre ligjore që të aplikojnë.
Tutje i akuzuari, Murtez Zekolli në lidhje me nënshkrimin e deklaratës së nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve të datës 26.10.2022 që ndërlidhej me aktivitetin e prokurorimit “Blerja e pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” me vlerë prej 2.8 milionë euro ka deklaruar në prokurori se mjetet për këtë projekt kanë ekzistuar.
Për dallim nga të akuzuarit e tjerë në prokurori i akuzuari, Xhemajl Buzuku është mbrojtur në heshtje duke mos thënë asgjë.
Mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe Fadile Dyla, që në vitin 2021 e ka marrë pozitën e u.d sekretarit të përgjithshëm, kurse në vitin 2022 ishte zgjedhur sekretare e përgjithshëm e MASHT.
Në lidhje me kompensimin e inflacionit që ia kishin bërë njërit prej bizneseve që kishte fituar tenderin nga MASHT, e pandehura ka thënë në prokurori se kompensimi ka vlejtur vetëm për faturat e dorëzuara prej datës 01.04.2022 deri në qershor të vitit 2023. Sipas saj, këto pagesa të kompensimit janë bërë duke u bazuar në një vendim të qeverisë në emër të inflacionit deri në 20% maksimumi i vlerës së faturës bazë. Sipas saj, Menaxheri i kontratës, Naim Demiri përmes kërkesës së Operatorit ekonomik brenda kushteve dhe kritereve për inflacion, i kishte pranuar faturat deri me datë 30.11.2023 dhe i kishte procedura për pagesë.
Fehmi Zyla po ashtu i akuzuar në këtë rast, në mbrojtjen e dhënë në prokurori nuk e ka thënë asnjë fjalë duke shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.
Tutje, mbrojtjen e ka dhënë Agron Shala pronar i kompanisë A&F Projekt në lidhje me pretendimin e se mallrat e kontraktuar nuk kishin origjinë nga shtetet e BE-së, por nga Kina dhe Turqia.
I akuzuari ka thënë mallrat që i kanë dorëzuar kanë qenë gjithmonë nga vendet e BE-së, por në kohë pandemie sipas tij, kanë qenë të kushtëzuar me transport andaj kanë qenë të detyruar që të hulumtojnë tregun dhe me qëllim që të mos ndërpritet kontrata kanë importuar mallra edhe nga Turqia.
Ndërsa sa i përket pretendimit të prokurorisë se njëra kompani ka dorëzuar vërtetime tatimore në emër të një kompanie tjetër, i akuzuari tha se për kompaninë “A&F Projekt” janë kujdesur vetë që t’i dorëzojnë dokumentet dhe nuk ka qenë në dijeni për dokumentacionet e kompanive të tjera të parregullta pasi, që prokuroria pretendon se personat juridik të akuzuar janë në konzorcium.
Në lidhje me pretendimin e Prokurorisë për çmime të pa arsyeshme, i akuzuari kishte deklaruar në prokurori se çmimet janë vendosur duke u bazuar në çmimet e tregut dhe ka thënë se është e drejtë e kompanisë që të vendosur lartësinë e çmimeve.
Edhe i akuzuari Mërgim Limaj, i cili është drejtor i kompanisë “Fabrika e Moblieve Standard” Sh.P.K, në prokurori ka thënë se ka edhe katër biznese familjare që lidhen me emrin “standard” por ndryshojnë vetëm parashtresat.
Në lidhje me bashkëpunimin me kompanitë që kanë hyrë në konzorcium “”A&F Projekt”, “Shkëmbi Gllarevë” dhe “N.N.P Standard Plus” ka thënë se pronari i “A&F Projekt” i ka thënë që t’i ndihmonte me disa dokumentacione për plotësim të kritereve për tenderin në fjalë, e të njëjtat ia ka siguruar. Në lidhje me kontratat e MASHT, i akuzuari ka thënë se s’ka marrë asnjë përfitim.
Pronari i kompanisë “N.N.P Standard Plus”, Dashmir Limaj ka thënë se e kishte autorizuar djalin e axhës së tij që t’i ndërmerrte të gjitha veprimet përfshirë edhe nënshkrimet për kontrata. Sipas tij, që nga ky autorizim i vitit 2017 nuk është marrë me asnjë punë të kësaj kompanie. Dashmir Limaj ka deklaruar se nuk është në dijeni për kontratat me MASHT dhe të marra nga konzorciumi i kompanive “A&F Projekt”, “Shkëmbi Gllareva” dhe “Fabrika e Mobileve Standard”. Prokuroria po pretendon në aktakuzë se ky autorizim nuk është sjellë asnjëherë si provë.
Edhe Ardian Berisha pronar i kompanisë “Shkëmbi Gllarevë” ka deklaruar se nuk i njeh pronarët e kompanive të lartcekura, në lidhje me tenderin e titulluar “Blerja e pakove të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” e fituar nga konzorciumi. Sipas të akuzuarit, për herë të parë e ka dëgjuar këtë titull kur është thirrur për intervistim në Prokurori.
Përfaqësuesi ligji i personit juridik të akuzuarit “A&F Projekt” Sh.P.K (Agron Shala) ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje.
Kurse përfaqësuesi ligjor i të pandehurit “Fabrika e Moblieve Standard” (Fidan Limaj) i pyetur nga prokurori Dren Paca se kush i ka nënshkruar kontratat mbi vepër për angazhimin e Adnan Mustafës dhe Anita Kabashit si inxhinierë të kompanisë “N.N.P Standard Plus”, ka thënë se nuk është nënshkrimi i tij. I njëjti gjithashtu ka thënë se ka qenë i autorizuar për kompaninë “N.N.P Standard Plus” prej vitit 2015-2016 por që sipas prokurorisë, nuk e ka sjellë asnjëherë si provë.
Përfaqësuesi i të akuzuarit “Shkëmbi Gllarevë” (Gëzon Berisha) ka thënë se pas kërkesës së Azem Limajt që ta mbështes me makineri, bager e kamion, i kishte ofruar këto pajisje pa e ditur që kishte lojëra, gjithmonë në kushte normale për të konkurruar normalisht sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi. Ndërsa në pretendimin e Prokurorisë se a ka qenë në dijeni që i ka mundësuar këtij konzorciumi që të plotësoj kriteret për marrje të tenderit ndonëse nuk do të kryenin asnjë punë si kompani, ai tha se në fillimet e tij nuk e ka njohur ligjin dhe se ka mundur të jetë i manipuluar nga mosdija.
Në fund, i akuzuari Isah Elezi e ka dhënë mbrojtjen e tij në prokurori rreth ndërrimit të statusit të kompanisë nga N.N.SH P&I në SH.P.K. Sipas tij, subjekti individual nuk ishte shuar asnjëherë por vetëm ishte vazhdimësi e subjektit me përgjegjësi të kufizuar.
Prokuroria këtë mbrojte të akuzuarve nuk ia ka falur besimin, në krahasim me provat e tjera të siguruara gjatë procedurës penale.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit nuk e mohojnë kryerjen e veprës penale, mirëpo mendohet që justifikojnë veprimet e tyre. /Kallxo.com










