Vlora Çitaku ka mbajtur konferencë për media për PDK-në duke e fajësuar Albin Kurtin për mosdaljen në zgjedhje të 200 mijë personave.
Ajo ka thënë se keqqeverisja e Kurtit ka prodhuar zhgënjim të madh që rezultoi me protestën e qytetarëve që nuk dolën në zgjedhjet e 7 qershorit.
Çitaku ka shtuar se sikur Kurti të mos dhuronte miliona në formë të shtesave, do të pësonte humbje në këto zgjedhje.
“Qeveria e Kurtit prodhoi zhgënjim të madh qytetar dhe kriza të vazhdueshme, kjo keqqeverisje rezultoi me këtë protestë sepse mosdalja e 200 mijë qytetarëve tregon për zhgënjimin. Gara ishte e pabarabartë dhe sikur të mos bënte blerje masive të votës, e kërcënime ndaj punëtorëve dhe miliona euro për fluturimet e diasporës, ky njeri do të pësonte fiasko”, ka thënë Çitaku në konferencë për media.
“PDK-ja e rikonfirmoi pozicionin e saj me përqindje dhe numër të deputetëve, është e ditur se me këto kriza ky pushtet i ka lodhur qytetarët dhe mospjesëmarrja është mesazh politik që duhet të merret seriozisht nga ne e veçanërisht nga ky pushtet abuziv”, ka thënë ajo.








