Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherit edhe kandidate për deputete, Vlora Çitaku ka ironizuar me intervistën e njeriut të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, për të cilin tha se fliste sikur ta kishte dorëzuar librezën e Vetëvendosjes në hyrje të emisionit.
Çitaku vlerëson se intervista e tij mbrëmë ishte sikurse e një mysafir rasti në historinë e Vetëvendosjes.
“Konjufca dje paska folur sikur ta kishte dorëzuar librezën e Vetëvendosjes në hyrje të “Pressing”-ut në T7. Në njërën anë dalin me thirrje patetike “Mos lësho pe”. Ndërsa, në anën tjetër, Konjufca vetë paska lëshuar pe në gjithçka. Madje, e paska lëshuar edhe Vetëvendosjen, gjuhën e saj, arrogancën e saj, dështimet e saj. Pesë vjet në pushtet i paska shndërruar në amnezi politike. Paska folur sikur të ishte një mysafir i rastit në historinë e Vetëvendosjes. Një këshillë miqësore: në vend të një narrative të re në funksion të zgjedhjeve, filloni duke marrë përgjegjësi për përçarjet dhe linçimet që keni ushqyer”, ka shkruar Çitaku për intervistën e Konjufcës dhënë mbrëmë në emisionin “Pressing” në T7.











