Çitaku: Opozitën e quajti patriarkale, por Kurti historikisht i ka sulmuar gratë në pozita

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka komentuar deklaratat e Albin Kurtit se opozita është patriarkale që nuk po e voton Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit.

Çitaku ka thënë se në të kaluarën Vetëvendosje e Kurtit ka sulmuar gratë që mbanin pozita të rëndësishme.

“Albin Kurti, në vend që të japë llogari për dëmtimin e ekonomisë dhe prodhuesve vendorë, në vend që të përgjigjet për aferat e panumërta korruptive të qeverisë së tij, në vend që të sqarojë përfshirjen e vëllait të Luan Dalipit në pazare me shitblerjen e energjisë, ka zgjedhur, si zakonisht, të sulmojë opozitën, duke e etiketuar si patriarkale dhe të prapambetur”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

“Ironike, kur dihet që PDK ishte partia e parë që propozoi një grua për Presidente të vendit, Flora Brovinën, dhe në vazhdimësi ka mbështetur gratë në pozita të larta politike dhe publike. PDK ka saktësuar që nuk i voton Ministrat e Qeverisë Kurti 2. Ndërkohë, në grupin parlamentar të VV ka edhe rreth 40 deputetë tjerë, mes tyre edhe shumë gra. Le të bëjë ndonjë propozim tjetër”, ka thënë ajo.

“E ndërkohë, LVV ka një histori krejt tjetër: Valdete Dakën, e sulmuan deri në shkarkim, Vlora Hysenin, e sulmuan dhe e shkarkuan, Gresa Cakën, e sulmuan brutalisht, vetëm pse s’mund ta shkarkonin. Ky është realiteti. Jo propaganda”, ka thënë deputetja e PDK-së.