Shefja e Grupit Parlamentar të PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tërë profilin politik e ka ndërtuar mbi polarizim, fyerje dhe manipulim.
Çitaku ka theksuar se Kurti ka tentuar të sundojë sepse nuk ka ditur të qeverisë, transmeton Klankosova.tv.
“Për pesë vite me radhë ka sulmuar gjykatat, prokurorinë, mediat, bizneset dhe sindikatat. Ka goditur këdo që nuk i është nënshtruar. Edhe sot, i njëjti diskurs: ‘Ejani e më votoni, sepse ashtu po them unë’.”
“Por koha e arrogancës po mbaron. Demistifikimi i figurës së tij filloi ditën e parë që mori pushtetin. Tendencat totalitare u panë menjëherë,” ka pohuar Çitaku.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së tha se sot, Kurtit, të zgjedhurit e popullit i treguan qartë se kjo mendësi nuk kalon.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ka dështuar të formojë Qeverinë e ti të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në fjalën e tij para deputetëve, ai u bëri thirrje që të votojnë në interes të popullit dhe të mbështesin formimin e Qeverisë.
Por, pas paraqitjes së listës së ministrave, Qeveria “Kurti 3” mori vetëm 56 vota për. Ky rezultat ishte i pritshëm, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin deklaruar më herët qëndrimin e tyre kundër bashkëpunimit apo koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Të njëjtat qëndrime mbetën të palëkundura edhe sot. Tashmë pritet që presidentja Vjosa Osmani t’i thërrasë partitë politike për takime konsultative brenda afatit kushtetues dhe ligjor.
Në rrethanat aktuale, pas tetë muajsh bllokadë politike, mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare duket e pashmangshme. /Klankosova.tv
The post Çitaku: Kurti me tendenca totalitare, deputetët i treguan qartë se kjo mendësi nuk kalon appeared first on Klan Kosova.










