Çitaku: Kurti ka rrënuar aleancat me partnerët ndërkombëtarë dhe ka përçarë shqiptarët në rajon

Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në emisionin Five në RTV Dukagjini ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për rrënim të aleancave me partnerët ndërkombëtarë.

Ajo ka thënë se Kosova tash e disa vite është nën sanksionet e Bashkimit Evropian.

“Për më tepër, ne kemi edhe raporte të ftohta me Shqipërinë, kemi raporte të cenuara me shqiptarët në rajon. Z. Kurti ka luajtur një rol përçarës me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi”.

”Pra, është një personalitet destruktiv i cili me një lehtësi të padurueshme ka rrënuar aleancat të cilat janë krijuar me shumë mund. Më keq se kaq nuk mund të bëhet. Çfarë po pritni që duhet të ndodhë?”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se, fatkeqësisht, raportet mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës janë në pikën më të ulët të mundshme dhe se për PDK-në kjo është e papranueshme.

“Çka po shohim tani me suspendimin e dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-ve është vetëm formalizim i relacionit që ka ekzistuar tash e pesë vite, prej kur z. Kurti dhe partia e tij udhëheqin me institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Çitaku tutje është shprehur se kjo gjendje nuk është vetëm tani dhe nuk lidhet vetëm me natyrën e raporteve mes Kurtit dhe kësaj administrate.

“Ngjashëm e kemi pasur edhe me administratën e presidentit Biden, ku kujtoj këtu suspendimin e vizitave për ministrat e qeverisë Kurti, një varg hapash që ishin ndërmarrë edhe atëherë për suspendimin e programeve të ndryshme, përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi i përbashkët me NATO-n dhe të tjera”.

”Kjo çfarë po shohim sot është vetëm formalizim i një raporti të ftohtë dhe me shumë tensione mes Kosovës dhe SHBA-ve”, ka thënë ajo.