Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i është përgjigjur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për deklaratat e tij rreth kryetarit të ri të PDK-së, Bedri Hamza, për të cilin tha se “gjithmonë kryetar i PDK-së është dikush që s’është”.
Çitaku vendosi t’i përgjigjet me ironi Kurtit që u mor me partinë e saj.
“Pasi “e integroi” Kosovën në BE e NATO, “e rriti” ekonominë, “i uli” çmimet, “i rriti” pensionet dhe “ndërtoi” kapacitete të reja energjetike, Albin Kurti paska vendosur t’ia qajë hallin edhe PDK-së. Mos na e bajë dertin neve, Albin. Ne Kryetar e kemi Bedri Hamzën”.
“Shihemi me 28 Dhjetor”, tha ajo.
Në një tubim me mërgimtarë në Oslo të Norvegjisë të dielën, Kurti foli për ndërrimin e kreut të PDK-së dhe arsyen pse s’i dërgoi ftesë për koalicion kësaj partie.
Bedri Hamzën, të cilin e uroi në Facebook kur e mori drejtimin e partisë, e cilësoi si destruktiv.
“Se tashti mundesh me e ndërru emrin e një njeriut dhe fytyrën e personit, por nëse qëndrimet janë identike, nuk po ndryshon situata”, kishte thënë Kurti.











