Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklarimeve të nënkryetarës nga rradhët e VV-së, Albulena Haxhiu, rreth raportit me Listën Serbe.
Çitaku ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka asnjë arsye të frikësohet apo të shantazhohet nga kjo parti, ngase – sipas saj – PDK-ja nuk ka hyrë kurrë në pazare të fshehta me të.
“Lista Serbe nuk ka si të na shantazhojë, sepse ne nuk kemi bërë kurrë marrëveshje të fshehta e të ndyra me ta, as kundër veteranëve, as pazare të dështuara për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ajo.
Duke e quajtur qëndrimin e partisë së saj “parimor”, Çitaku tha se PDK gjithmonë ka qenë në mbrojtje të rendit kushtetues. “Qëndrimi ynë është parimor, në mbrojtje të rendit kushtetues, të cilin ju e sfidoni pa fund. Ju mund të provoni ta relativizoni të vërtetën, por nuk mund ta fshini”, theksoi ajo.
Në vijim, nënkryetarja e Kuvendit i ka kujtuar ministres Haxhiu marrëveshjet e kaluara të Vetëvendosjes me Listën Serbe, të cilat i cilësoi si “pakte të turpit”.
“Jeni ju që keni lidhur paktet e turpit dhe keni rrënuar besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. Në mungesë të shumicës për të ndërtuar qeverinë, po bëni taktizime fëminore”, ka shkruar Çitaku.