Çitaku: Engel, një nga zërat më të fuqishëm ndërkombëtar të Kosovës

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një mik të madh të shqiptarëve dhe mbështetës të palëkundur të Kosovës.

Në një postim publik, Çitaku ka theksuar rolin e Engel në momentet kyçe për vendin, duke nënvizuar mbështetjen e tij të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për ne shqiptarët, ai ishte më shumë se një kongresmen. Ishte ai njeriu që na dha vazhdimisht një ndjenjë sigurie, sepse e dinim që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishim Eliotin. Një zë të fuqishëm, të drejtë dhe gjithmonë në anën tonë”, ka shkruar ajo.

Sipas Çitakut, Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm ndërkombëtarë në mbështetje të Kosovës, duke folur hapur për ndërhyrjen e NATO, pavarësinë e vendit dhe themelimin e ushtrisë.

“Në momentet më të vështira për Kosovën, ai nuk hezitoi të flasë zëshëm. Zëri i tij u dëgjua në mediat botërore për ndërhyrjen e NATO-s, për pavarësinë e Kosovës, madje edhe për themelimin e ushtrisë sonë. Gjithmonë me ne. Përherë krah nesh”, ka shtuar ajo.

Duke e quajtur marrëdhënien me të “miqësi të sinqertë”, Çitaku është shprehur se Engel do të mbetet përherë pjesë e historisë së Kosovës.

“Sot u largua nga kjo botë një mik i madh i yni, por do të jetojë përherë në zemrat e secilit prej nesh, sepse emri i tij është i gdhendur në themelet e shtetit tonë”, ka theksuar ajo.

Në fund, ajo ka shprehur ngushëllime për familjen dhe miqtë e tij, duke përmbyllur me fjalët: “Prehu në paqe, mik!”.