Çitaku e quan fletërrufe reagimin e VV-së për protestën në Tiranë: Po tenton t’i përçajë shqiptarët

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka komentuar reagimin e Vetëvendosjes në lidhje me protestën që do të mbahet nesër në Tiranë.

Ajo këtë reagim e quajti fletërrufe, duke thënë se fillimisht kishte menduar që është lajm i rremë, sepse sipas saj, një gjë e tillë është e palogjikshme.

“Kur e kam lexuar atë fletërrufe, unë kam menduar që është fake news, lajm i rremë, sepse tash në këtë botën virtuale, interneti, inteligjenca artificiale, kam menduar që e ka prodhuar dikush një lajm të rremë, sepse logjika e shëndoshë e një njeriu, në damarët e të cilit rrjedh gjak shqip, është e pakuptueshme, e palogjikshme, një fletërrufe e tillë”.

“UÇK-ja është projekti më sublim që ne e kemi prodhuar si komb dhe UÇK-ja është një vlerë rreth së cilës ne duhet të jemi të bashkuar. Nëse duhet të ketë konsensus për diçka mes nesh si shqiptarë, është lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh ajo në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova

Çitaku tha se Lëvizja Vetëvendosje po synon t’i përçajë shqiptarët, siç u shpreh, tash edhe përmes fletërrufeve të tilla.

“UÇK-ja nuk guxon të na përçajë dhe fatkeqësisht, e them me keqardhje dhe me dhimbje, Lëvizja Vetëvendosje po synon t’i përçajë shqiptarët sot, tash edhe përmes fletërrufeve të tilla”.

“Unë kam qenë vet personalisht prezente, jo njëherë, disa herë në takime të shumta, qoftë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, bashkë me kryeministrin Edi Rama ku ai ka mbajtur një fjalim të gjatë të elaboruar dhe ka mbrojtur denjësisht luftën e drejt të UÇK-së dhe ka kritikuar Këshillin e Evropës për mosreagimin ndaj të pavërtetave, pastaj të dokumentuara të raportit të Dik Martit”, u shpreh tutje ajo.