Çitaku: E frikshme tendenca e pushtetit ta shtyp çdo fjalë dhe çdo mendim kundër

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas publikimit të një artikulli të shkruar nga mediumi boshnjak ‘Bosnja e Lirë’ nga Radio Televizioni i Kosovës. Ky artikull ku pretendohet se dy media në Kosovë – Nacionale dhe Periskopi – janë në kontroll të Serbisë dhe Aleksandar Vuçiqit, është shpërndarë edhe nga dy deputetët e partisë në pushtet, Sali Zyba dhe Dimal Basha, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çitaku e ka cilësuar si të dhimbshme dhe të frikshme tendencën e pushtetit për të shtypur fjalën dhe mendimin kundër.

Sipas saj, demokracia dhe media e lirë shkojnë së bashku e siç thotë ajo, Qeverisë nuk i intereson as njëra as tjetra.

“Tjetër ditë – tjetër sulm i Qeverisë dhe eksponentëve të saj ndaj mediave dhe gazetarëve. Demokracia dhe media e lirë shkojnë së bashku, prandaj duket se kësaj Qeverie nuk po i intereson as njëra dhe as tjetra.

E dhimbshme me pa këtë tendencë të pushtetit me shtyp çdo fjalë dhe çdo mendim kundër. E frikshme!”, shkroi Çitaku.

Në tekstin e përkthyer nga RTK-ja, thuhet se në hulumtimin e ‘Slobodna Bosna’ regjimi i Vuçiqit ka zgjeruar ndikimin e tij edhe në mediat në Kosovë, duke blerë portale.

Me theks të veçantë përmenden dy mediumet Periskopi dhe Nacionale, ku për të parin thuhet se është në kontrollin e të sanksionuarit nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, Milan Radoiçiq, ndërsa Nacionale thuhet se u ble nga Vuçiq.

Ndaj kësaj ka pasur reagime të shumta nga pjesëtarë të shoqërisë civile, si dhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët janë shprehur të alarmuar “me fushatën e re të Lëvizjes Vetëvendosje kundër medieve në Kosovë”.