Çitaku: Drejtësia për ish-krerët e UÇK-së është drejtësi për Kosovën

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë thirrje për protestë në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Çitaku theksoi se protesta do të jetë e natyrës qytetare dhe jo politike, duke nënvizuar se qëllimi i saj është kërkesa për një proces të drejtë dhe pa zvarritje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

“Ata që na sollën lirinë dhe ndërtuan shtetin meritojnë drejtësi,” tha ajo, duke shtuar se drejtësia për ish-udhëheqësit e UÇK-së është, sipas saj, drejtësi për vetë Kosovën.

Çitaku theksoi se heshtja nuk është opsion në një ditë me rëndësi historike për vendin dhe bëri thirrje që proceset gjyqësore të zhvillohen pa ndikime politike dhe pa vonesa të panevojshme.

Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat kanë ngritur aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.