Çitaku: Dje ndodhi një “operacion karate” për ta përmbysur rendin kushtetues

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha se kanë kaluar  444 ditë nga zgjedhjet e fundit në vendin tonë dhe që nga atëherë sipas saj, ka pasur krizë dhe pasiguri.

Ndërkaq, lidhur me atë që ndodhi dje, ajo tha se ishte “operacion karate” për ta përmbysur rendin kushtetues.

“Kanë kaluar 444 ditë nga zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025 dhe kemi 444 ditë krizë, pasiguri, paqartësi dhe një përpjekje të vazhdueshme të Albin Kurtit, për të përmbysur, jo vetëm për të shkelur Kushtetutën, sepse shkelës serik të Kushtetutës tashmë janë”.

“Çfarë u pa në javën e fundit ishte një organizim i orkestruar, nëse mund ta quajmë kështu simbolikisht “operacioni karate” për ta përmbysur rendin kushtetues. Fatmirësisht kjo përpjekje, kjo tendencë u ndal, falë një mobilizimi të madh qytetarë, mobilizim i shpejt dhe i jashtëzakonshëm qytetarë dhe skenari u dështoi, Kosova shkon sërish në zgjedhje”, tha ajo.

Çitaku u shpreh se tash e dy vjet, Kosova është në krizë politike e institucionale, por siç tha, edhe në krizë kulturore e morale.

“Kosova tash e dy vjet nuk është vetëm në një krizë politika, në një krizë institucionale, ne kemi krizë kulturore dhe kemi krizë morale, sepse Kuvendi nuk është thjeshtë respektim i procedurave, por është edhe kulturë, është debate, është fryma e konsensusit, e dialogut e bashkëpunimit”.

“Fatkeqësisht, nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pasur as përpjekjen më të vogël serioze për të ndërtuar konsensus brenda Kuvendit dhe nuk po flas vetëm për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Çitaku.