Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pas publikimit të audioincizimit në të cilin dëgjohet ligjërata e zyrtares së Gjykatës Speciale në një shkollë të mesme në Prishtinë.
Çitaku ka thënë se audioincizimi ka shpërfaqur përfundimisht fytyrën dhe misionin e vërtetë të Gjykatës Speciale.
Postimi i saj:
Audio-incizimi i publikuar nga VOX Kosova e ka shpërfaqur përfundimisht fytyrën dhe misionin e vërtetë të Gjykatës Speciale.
Një mekanizëm në të cilin Gjykata dhe Prokuroria bëhen një, me një qëllim të qartë: jo për të vënë drejtësi, por për të “ri-edukuar” fëmijët e Kosovës mbi atë se çfarë ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme.
Kush janë këta njerëz që, pa dijeninë dhe pa lejen e prindërve, marrin guximin t’u flasin fëmijëve tanë për historinë tonë? Kush u ka dhënë të drejtën të ndërhyjnë në kujtesën kolektive dhe në të vërtetën për luftën çlirimtare?
Drejtësia vendoset në gjykatore, jo në bankat shkollore.
Sepse në momentin kur drejtësia zhvendoset në klasa, ajo pushon së qeni drejtësi dhe shndërrohet në përpjekje për indoktrinim, për shpëlarje truri, për rishkrim të historisë.
E kjo nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë.










