Shkruan: Bujar Klinaku
Pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, i cili ishte një kusht i padrejtë nga ana e Bashkimit Evropian, është hapur rruga për liberalizimin e vizave (lëvizjen e lirë të qytetarëve në zonën Shengen). Mirëpo, pas ratifikimit të demarkacionit, Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkret në luftën kundër korrupsionit, i cili është kushti kryesor për liberalizimin e vizave.
Me përmbushjen e të gjitha kushteve të përcaktuara, Komisioni Evropian do të paraqesë një propozim para Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e obligimit për viza për qytetarët e Kosovës, përmes një plotësim-ndryshimi të Rregullores së Këshillit (EC) 539/2001.
Para hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, propozimi i Komisionit i nënshtrohej vetëm votimit të Këshillit të BE-së. Pas vitit 2009, propozimi i Komisionit duhej të miratohej edhe nga Parlamenti Evropian sipas procedurës së vendimmarrjes së përbashkët. Sa i përket Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, vizat ishin hequr para se të hynte në fuqi Traktati, porse Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina duhej ta ndiqnin procedurën e re, dhe të merrnin votë të favorshme edhe nga Parlamenti (ESI, 2010). Procesi mund të jetë edhe më kompleks në rastin e Kosovës, duke e pasur parasysh pozitën e shteteve anëtare të BE-së, karshi njohjes së pavarësisë së saj. Kjo mund të paraqet vështirësi edhe për Këshillin edhe për Parlamentin.
Pas propozimit të Komisionit Evropian, propozimi shqyrtohet në Komisionet Parlamentare të Parlamentit Evropian, pastaj diskutohet në seancë plenare. Propozimi mund të ketë deri në dy lexime dhe pastaj votohet. Pas votimit, Parlamenti Evropian e dërgon në Këshill të BE-së, ku do të diskutohet në formatin e Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të të gjitha shteteve (Në të dyja institucionet kërkohet shumica e kualifikuar).
Pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë legale ta përdorin instrumentin për bllokim. Mirëpo, fatmirësisht këto pesë shtete nuk e paraqesin 35 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian. Shtetet që kanë qëndrime kundër kësaj, që quhet “politikë e dyerve të hapura”, janë për shembull rasti i Çekisë dhe Polonisë. Nëse këtyre pesë shteteve iu bashkohet edhe Polonia e Çekia, atëherë pavarësisht që Kosova ka gjasa t’i marrë 55 për qind të shteteve të Bashkimit Evropian, procesi mund të bllokohet.
Kjo do të thotë se politika e jashtme e Kosovës duhet të lobojë në qendrat, përkatësisht në kryeqytetet evropiane, në mënyrë që instrumenti bllokues të mos përdoret ndaj Kosovës.
Parlamenti Evropian ka paraparë seancë plenare më 16-19 Prill 2018, kurse Këshilli i BE-së në formatin e Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme ka takime më 19 prill dhe 4 qershor 2018.
Duke marrë praktikat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë gëzojnë procesin e liberalizimit të vizave, procesi i vendimmarrjes te ato ka marrë kohë prej 3 deri në 6 muaj, që nga momenti, kur ky proces përfundon në të gjitha institucionet, kështu që pastaj caktohet data se kur hyn në efekt lëvizja e lirë, prej kur janë plotësuar kushtet.
Kosova duhet ta zë hapin pikërisht në këtë muaj (mars), sepse zgjedhjet për institucionet e Bashkimit Evropian do të mbahen në fillim të vitit 2019 dhe të gjitha vendimet e rëndësishme synohen që të përfundohen deri në fund të këtij viti. Duke marrë parasysh afatin e lartcekur që kërkon për implementim të liberalizimit (6 muaj), duke ia shtuar një kohë minimale të marrjes së këtij vendimi (3 muaj), atëherë gjasat e mira janë që në fund të vitit 2018, qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, nëse vendimmarrja në institucionet e Bashkimit Evropian është pozitive.
Ideja e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor lindi si e tillë që në Samitin e Selanikut në qershor të vitit 2003. Këshilli i BE-së kishte propozuar një listë reformash, të cilat duhej t’i ndërmerrnin të gjitha shtetet me qëllim që të përfitonin një regjim pa viza. Me fjalë të tjera, Këshilli i Bashkimit Evropian e bëri të qartë se progresi i vendeve në procesin e liberalizimit të vizave do të varej prej vullnetit dhe aftësisë së tyre për të zbatuar reforma të qëndrueshme në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë. Vendeve të Ballkanit Perëndimor iu kërkua që t’i përforconin kapacitetet e tyre në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, migrimit të jashtëligjshëm, si dhe të ngritjes së kapaciteteve në administrimin dhe ushtrimin e kontrollit të kufijve dhe të sigurisë së dokumenteve zyrtare të identifikimit (EC, 2003).