Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë po vazhdon sipas detyrimeve ligjore të parashikuara në Ligjin për Energjinë Elektrike. Ky hap ka për qëllim rritjen e konkurrencës dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, shkruan Demokracia.com.
Në përputhje me kornizën ligjore, ZRRE ka emëruar kompaninë KESCO si furnizues me të drejtën e shërbimit universal për konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë që plotësojnë kriteret e caktuara. Konsumatorët që nuk plotësojnë këto kritere do të mund të zgjedhin furnizuesin e tyre nga tregu i lirë, fillimisht nga data 1 qershor 2025.
Ky proces, i cili ishte ndërprerë përkohësisht për shkak të pasojave të pandemisë dhe krizës energjetike, tani ka përmbushur kushtet e nevojshme për të rihapur tregun dhe për të mundësuar konsumatorët të përfitojnë nga konkurrenca në treg.
Megjithatë, komuniteti i biznesit ka ngritur shqetësime se ky hap mund të ketë qenë i paplanifikuar mirë, pasi, sipas tyre, nuk ka mjaftueshëm kompani që tregtojnë energji elektrike në Kosovë dhe bizneset e mëdha qe dalin ne treg të hapur mund të përballen me konkurrencë të pa drejtë. Për të sqaruar më shumë, Demokracia.com ka nxjerr listën e kompanive të licencuara nga ZRRE që merret me tregtim të energjisë dhe ka nxjerrë edhe informacionet lidhur me pronarët e këtyre kompanive, sipas të dhënave të ARBK-së.
Kompanitë e licencuara për tregtim të energjisë në Kosovë:
NFINIT POWER SOLUTIONS SH.P.K.
Bazuar në të dhënat e ARBK, është regjistruar si biznes më 10 korrik 2023 në pronësi të Granit Shahu dhe Fahredin Sadiku. Personi i autorizuar në këtë kompani është Besim Hetemi. Kompania është licensuar për tregtim me energji nga ZRRE më 28.12.2023 – 27.12.2028. Lëshimi i Licencës.
NFINIT ENERGY DOOEL Dega në Kosovë
Është një kompani e regjistruar më 08/09/2023. Kompania është në pronësi të INFINIT ENERGY DOOEL. Edhe këtu, personi i autorizuar dhe drejtor menaxhues është i njëjti person, Besim Hetemi, sikurse në kompaninë e lartpërmendur. Në rajon ekzistojnë disa kompani me emrin INFINIT ENERGY DOOEL, por asnjëra nuk merret specifikisht me tregtimin e rrymës. Me gjasë, kompania duhet të jetë nga Maqedonia e Veriut, pasi ekziston një INFINITY ENERGY IT SOLUTIONS AND SERVICES D.O.O., e cila është pjesë e Infinity International Group dhe fokusohet në zhvillimin e sistemeve komplekse të komunikimit, zgjidhjeve për qytete inteligjente dhe implementimin e zgjidhjeve softuerike. Në licencimet e kompanive për këtë firmë, ZRRE ka shkruar se është licensuar për 10 vjet nga 01 qershor 2023 (E NJOHUR nga ZRRE me datë 05.10.2023 SIPAS PARIMIT TË RECIPROCITETIT me Maqedoninë e Veriut).
SPB ENERXHI PRODAKSHN DOOEL Branch in Kosovo
Është një kompani nga Maqedonia e Veriut që operon në sektorin e energjisë. Në Kosovë, ajo është e regjistruar si degë me emrin “SPB ENERXHI PRODAKSHN DOOEL Branch in Kosovo” dhe është e licencuar për furnizim me energji elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) e Kosovës. Licenca e saj është në fuqi nga 6 shtatori 2021 për një periudhë prej 10 vitesh. Megjithatë, informacioni mbi pronësinë specifike të kompanisë SPB ENERXHI PRODAKSHN DOOEL nuk është i disponueshëm në burimet publike në Google.
Eurosol&Energy LTD SH.P.K
Eurosol&Energy LTD është regjistruar në ARBK më 29/03/2023 dhe ka pesë aksionarë: Salvador Kaça, Eduard Elezaj, Lisander Hoxha, Melaim Ademi, Adon Shomo. Aksionarët janë shqiptarë nga Shqipëria. Sic ka parë Demokracia.com, personi i autorizuar në këtë kompani, bazuar në të dhënat e ARBK-së, është Astrit Lekaj, i cili është djali i ish-deputetit të AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj.
SharrCem SH.P.K.
SharrCem Sh.p.k. është një kompani e themeluar në vitin 1936, e cila operon në sektorin e prodhimit të çimentos në Kosovë. Në vitin 2010, SharrCem u ble nga Titan Group, një kompani ndërkombëtare me seli në Greqi, e specializuar në prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve ndërtimore, duke përfshirë çimenton, betonin e gatshëm dhe agregatet. Titan Group operon në mbi 25 vende dhe ka një histori mbi 110-vjeçare në industrinë e ndërtimit. Ka licencë të miratuar nga ZRRE për furnizim me energji elektrike nga 05.05.2023 – 04.05.2028.
ETMT ENERGY SH.P.K.
Kjo kompani është krijuar në vitin 2020. Person i autorizuar është Arta Ramadani dhe figuron në pronësi të ENER TRADE SH.P.K. nga Shqipëria dhe është në pronësi të “GJONAJ GROUP HOLDINGS” me aksionar Martin Gjonaj.
Društvo Elektrosever D.O.O.
Društvo Elektrosever është një kompani serbe e themeluar me qëllimin për të operuar në sektorin e furnizimit me energji elektrike në veri të Kosovës. Kjo kompani është filiale e Elektroprivreda Srbije (EPS), korporatës shtetërore serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike, e cila mban 100% të aksioneve të Elektrosever. Në vitin 2018, Društvo Elektrosever u regjistrua në regjistrin e bizneseve të Kosovës, me aktivitet kryesor tregtimin e energjisë elektrike dhe mbajtjen e pajisjeve energjetike. Pas arritjes së marrëveshjes për energjinë midis Kosovës dhe Serbisë, Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) i dha Elektrosever licencën për furnizim me energji elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Më 9 dhjetor 2023, u nënshkrua një kontratë komerciale midis Elektrosever dhe KEDS (Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë), duke shënuar një hap në implementimin e marrëveshjes për energjinë dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kompania ka licencë nga ZRRE deri në vitin 2027.
EZ5 KOSOVO L.L.C.
Është e regjistruar në ARBK më datë 08/03/2022 dhe ka për pronarë Edmond Ademaj nga Shqipëria. Kjo kompani, që ka degën e saj edhe në Kosovë, është themeluar në Shqipëri në vitin 2019, me aktivitet kryesor prodhimin, tregtimin dhe furnizimin me energji elektrike për biznese të mëdha, të vogla dhe klientë individualë. Kompania operon sipas standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë, duke ofruar çmime konkurruese dhe shërbim profesional.
NOA ENERGY TRADE SH.P.K. Dega në Kosovë
Është regjistruar në ARBK më 29/06/2021 dhe është në pronësi të kompanisë nga Shqipëria NOA ENERGY TRADE SH.P.K. Kjo kompani është në pronësi të NOA HOLDING që ka për pronarë Gentian Sula. Gentian Sula është një nga biznesmenët për të cilin GJKKO ka marrë masën e sigurisë duke i kërkuar të dalë nën akuzën e korrupsionit aktiv për lidhjet e tij me Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën.
MCM COMMODITIES SH.P.K
Është regjistruar në ARBK më 26/11/2012 dhe është në pronësi të N.sh.p. “MCM”. N.SH.P. “MCM” është një kompani me seli në Prishtinë, Kosovë, e regjistruar në regjistrin kosovar të bizneseve. Kjo kompani është aktive në sektorin e agjencive dhe shërbimeve turistike, me aktivitet kryesor në fushën e agjencive të udhëtimit. Artan Metaj është drejtor.
EDS International KS L.L.C.
Ka licencë deri në vitin 2026. Është regjistruar në ARBK më 10/10/2015. Pronari i kompanisë është kompania Eds DOOEL Skopje. EDS DOOEL është një kompani me seli në Shkup, Maqedoni e Veriut, e specializuar në ofrimin e shërbimeve financiare dhe teknologjike. Kompania është aktive në zhvillimin dhe implementimin e zgjidhjeve softuerike, si dhe në ofrimin e shërbimeve të kreditimit dhe sigurimeve në rajon. Aleksandar Slavkovikj mban pozitat e CEO dhe CTO në EDS DOOEL.
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS SH.A.
Ka licencë nga ZRRE deri në vitin 2043. KEK është një kompani shtetërore që operon në sektorin e energjisë në Kosovë. Ajo është përgjegjëse për prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike në të gjithë territorin e Kosovës. KEK është themeluar për të menaxhuar burimet energjetike të vendit dhe për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për konsumatorët.
FUTURE ENERGY TRADING AND EXCHANGE DYNAMICS SH.P.K.
Kjo kompani ka licencë deri në vitin 2028. Është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar Kosovare, e themeluar më 30.03.201.
I gjithë prodhimi me energji elektrike në Kosovë është i varur nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Një pjesë e vogël prodhohet edhe nga hidrocentralet dhe burimet e tjera të ripërtёritshme të energjisë elektrike (BRE). Pastaj, KESCO ka primatin për funksionin e Furnizuesit të Shërbimit Universal të energjisë elektrike në Kosovë. Por, kompania turke, nga ky vit nuk do të jetë më furnizuesi i vetëm, bizneset e mëdha do të dalin në treg të hapur dhe do të zgjedhin si furnizues njërin nga këto kompani. /Demokracia.com/.