OJQ amerikane “Council for Inclusive Governance” CIG, ka dalë me një deklaratë për media, pas raportimeve që media zvicerane “NZZ” ka bërë për takimet “konfidenciale” Kosovë -Serbi të mbajtura në Solothurn.
Pjesëmarrësit nga institucionet dhe partitë nuk kanë njoftuar për këto takime.
CIG ka thënë se për më shumë se një dekadë në bashkëpunim me MPJ-në e Zvicrës kanë lehtësuar diskutime joformale mes përfaqësuesve të partive politike nga Kosova e Serbia, përfshirë partitë në pushtet dhe ato opozitare.
“Këto takime nuk janë sekrete. Ato nuk prodhojnë marrëveshje, angazhime apo rezultate të negociuara. CIG publikon në faqen e vet të internetit raporte të shkurtra përmbledhëse që pasqyrojnë spektrin e qëndrimeve të shprehura. Këto raporte nuk përfaqësojnë pozicione konsensuale apo përfundime të dakorduara. Pjesëmarrësit mund t’u referohen publikisht këtyre takimeve në përputhje me Rregullin e Chatham House”, thuhet në sqarim.
CIG bën të ditur se qëllimi i këtyre diskutimeve është të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke ofruar një forum joformal ku pjesëmarrësit mund të paraqesin perspektivat e tyre, të fitojnë një kuptim më të mirë të qëndrimeve të njëri-tjetrit dhe të ruajnë komunikimin kur kanalet zyrtare janë të kufizuara.
CIG në fund të reagimit ka thënë se nuk organizojnë takime bilaterale në mes të zyrtarëe të Kosovës dhe Serbisë, por vetëm në formate të përbashkëta ku marrin pjesë dhjetëra pjesëmarrës.
“Të gjitha takimet zhvillohen në formate të përbashkëta, zakonisht me rreth një duzinë pjesëmarrësish. CIG konfirmon se nuk organizon takime bilaterale ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë dhe qëndron pranë shpjegimeve tashmë të dhëna nga pjesëmarrësit për mediat. CIG gjithashtu konfirmon se z. Bislimi dhe z. Gjuriq nuk kanë marrë pjesë kurrë së bashku në asnjë takim të organizuar nga CIG.”, përfundon njoftimi.










