Pasditen e së enjtes, një burrë dhe një grua me origjinë shqiptare, të moshës rreth të tridhjetave, u gjetën të vdekur në apartamentin e tyre në Rue General-Paulet, në qytetin Brest të Francës.
Alarmi u dha rreth orës 16:30, kur një banor i lagjes Europe njoftoi policinë se kishte dëgjuar dy të shtëna arme në adresën 101 Rue Général-Paulet, raportojnë mediat franceze La Telegramme.
Forcat e rendit që mbërritën në vendngjarje gjetën trupat e një burri 30-vjeçar dhe një gruaje 36-vjeçare, si edhe një pushkë gjahu pranë tyre.
Sipas të dhënave paraprake të policisë franceze, hetimet po orientohen drejt një rasti të dyshuar për femicid, i ndjekur nga vetëvrasja.
Çifti linte pas dy fëmijë: njëri prej tyre nuk mundi të kthehej në shtëpi pas të shtënave, ndërsa fëmija më i vogël ndodhej në shkollë në momentin e tragjedisë.











