Interi luan mundësinë për të kaluar në Botërorin e Klubeve kundër River Plate. Zikaltërit e Cristian Chivu do të zbresin në fushë, në “Lumen Field” të Seattle, të mërkurën e 25 qershorit, në orën 18:00 lokale (ora 03:00 e mëngjesit të 26 qershorit në Shqipëri). Një fitore do t’i çonte në vendin e parë të grupit E, duke kaluar pikërisht “millionarios”.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri rumun theksoi rëndësinë e sfidës: “Ne kemi ardhur këtu me mentalitet të qartë, i trajtojmë të gjitha ndeshjet me seriozitet. Pas ndeshjes së parë ndoshta pati pak pesimizëm, por me energjitë tona do të bëjmë maksimumin dhe do të ecim përpara”.
Trajneri rumun, duke prezantuar sfidën ndaj River Plate, nuk përdori fjalë të zbukuruara, por përshkroi edhe momentin e vështirë që po kalon grupi: “Lojtarët e kanë dëgjuar këshillën time për të mos i lexuar gazetat (qesh). Nëse përmendet dhe përsëritet gjithmonë rezultati i Mynihut, është e vështirë të ecim përpara.
Lojtarët e Interit janë kampionë të vërtetë dhe e dinë se ajo që ka rëndësi është e nesërmja. E dinë që duhet të punojnë më shumë, duke e parë veten në pasqyrë. Më pëlqen të shoh reagimet e tyre, pavarësisht një momenti të vështirë”.
Të punosh me përulësi dhe qëndrueshmëri, kjo është receta e Chivu, e drejtpërdrejtë dhe pa filtra, njësoj si karakteri i tij. Interi po vendos themelet e një cikli të ri, edhe pronarët e “Oaktree” synojnë gradualisht një strategji me lojtarë të rinj. Emra si Sucic dhe Luis Henrique shkojnë në këtë drejtim, por klubi shikon edhe brenda vetes, duke u përpjekur të rrisë përgjegjësinë tek ata që mund të jenë pjesë e së ardhmes zikaltër në ekipin e parë.
Shumë domethënës ishte mesazhi i Chivu për Pio Esposito dhe Valentin Carboni, të cilët, sipas trajnerit rumun, nuk duhen krahasuar me lojtarët e ekipit të të rinjve. Ata janë të rinj vetëm në moshë, por tashmë të aftë të rrisin nivelin e skuadrës së parë si shokët më me përvojë.
The post Chivu shkund Interin: Harroje finalen e Mynihut, ndryshe nuk ecim dot përpara appeared first on Telesport.