Chivu shijon Interin e tij: Kapërcyem vështirësitë dhe arritëm 1/8-at, duartrokitjet i takojnë Pio-s

Fitorja e sotme është mbi të gjitha edhe fitorja e Cristian Chivu. Trajneri rumun mposhti River Plate e një legjende si Marcelo Gallardo falë Pio Espositos, një nga lojtarët e tij të preferuar që nga koha te “Primavera”. Interi siguron kualifikimin në 1/8-at e Kupës së Botës për Klube (ku do të përballet me Fluminense) në ndeshjen më bindëse të këtij cikli të ri.

Gjithsesi, Chivu nuk dëshiron t’i marrë meritat për vete: “Nuk flas kurrë për veten time, flas për ne, për grupin që sot bëri një ndeshje të vërtetë dhe donte me çdo kusht të kalonte turnin, pavarësisht vështirësive në pjesën e parë, ku u vumë në siklet nga presioni dhe intensiteti i kundërshtarit. Në pjesën e dytë gjetëm kundërmasat e duhura me pozicionimin në fushë dhe qarkullimin më të shpejtë të topit, gjë që na lejoi të shkonim më shpesh në sulmin vertikal. Në fund, arritëm ta fitonim ndeshjen dhe të kualifikoheshim. Ky ishte objektivi”.

Trajneri zikaltër është tashmë me mendjen te 1/8-at kundër brazilianëve të Fluminense, sfidë që do të luhet më 30 qershor, ora 21:00, në Charlotte: “Do të luajmë të hënën mbrëma. Na pret një tjetër betejë. Duhet të rikuperojmë energjitë fizike dhe mendore për ta përballuar sa më mirë ndeshjen e ardhshme”.

Ashtu siç ndodhi me Carboni pas golit të fitores kundër Urawa Red Diamonds, Chivu dhe pjesa tjetër e skuadrës i rezervuan një duartrokitje të veçantë Pio Espositos, sapo u kthyen në dhomat e zhveshjes: “Sot i bëmë një tjetër duartrokitje Pios. Së shpejti ka edhe ditëlindjen, kështu që do t’i duhet të na shpërblejë me ndonjë darkë. Jam shumë i lumtur për të, sepse ishte në lartësinë e një ndeshjeje të vërtetë, aspak të lehtë për t’u përballuar nga pikëpamja fizike dhe nervore”.

E ardhmja e sulmuesit të ri italian është ende e hapur, por për Chivu çdo vendim do të merret vetëm pas Kupës së Botës për Klube: “A do të qëndrojë me ne edhe sezonin e ardhshëm? Unë nuk shikoj kurrë shumë përpara, fokusohem tek ajo që kam sot në dispozicion.

Mundohem gjithmonë të gjej zgjidhje dhe t’iu jap të gjithëve mundësinë të ndihen të rëndësishëm, pjesë e projektit. Synoj që lojtarët të gjejnë energji dhe karakter, pavarësisht vështirësive, të jenë gjithmonë në dispozicion të skuadrës. E ardhmja do të vendoset në fund të Botërorit për Klube, tani jemi këtu dhe duam ta nderojmë sa më mirë këtë kompeticion”.

The post Chivu shijon Interin e tij: Kapërcyem vështirësitë dhe arritëm 1/8-at, duartrokitjet i takojnë Pio-s appeared first on Telesport.