Chivu: Grupi është solid, të vendosur ta mbajmë Interin sa më lart në Itali dhe botë

Pas dy ditësh testesh fizike, për Interin ka ardhur dita e parë e stërvitjes në “Appiano Gentile”, ku pasditen e sotme pritet edhe trajneri i ri i Italisë, Rino Gattuso. Programi parashikon dy seanca stërvitore në ditë, të mbyllura për publikun, dhe grumbullim në qendër stërvitore për të gjithë lojtarët zikaltër.

Të vetmit që mungojnë janë: Taremi, me leje. Frattesi, në rikuperim pas operacionit për hernie inguinale më 10 korrik. Vanheusden, që vjen nga një sezon te Mechelen dhe do të kryejë një provë me ekipin spanjoll Marbella. Ja deklaratat e trajnerit Chivu në konferencën për shtyp.

Me çfarë fryme po e nisni sezonin e ri?
Me frymën e duhur për të qenë konkurrues. Pritshmëritë për këtë skuadër janë gjithmonë të njëjtat, duhet t’i arrijmë objektivat.

Sa e ndihmon puna juaj një grup kaq të rëndësishëm?
Një skuadër fituese që lufton për trofe dëshmon se grupi është i qëndrueshëm dhe solid.

Si do të luajë Interi i Chivu?
Qëllimi ynë është të jemi agresivë, vertikalë, por duke ruajtur ekuilibrin si ekip.

A është kampionati, prioriteti kryesor për Interin?
Nuk kemi për të marrë hak apo luajtur për revansh. Ne duhet të ndërtojmë për të ardhmen. Kemi detyrimin ta mbajmë këtë skuadër në majat e futbollit. Do të japim gjithçka për t’i arritur objektivat. Ky grup dhe kjo shoqëri janë të bashkuar dhe të vendosur të qëndrojnë lart në Itali dhe në botë.

Çfarë do të kërkoni nga lojtarët tuaj?
Respekt për shokët e skuadrës dhe për klubin që përfaqësojnë. Duhet të dimë t’i menaxhojmë uljet dhe ngritjet.

Conte hodhi sloganin e tij për Napolin. Cili është slogani i Interit?
Nuk kopjojmë askënd. Duam të jemi kompetitivë.

Çfarë iu thatë lojtarëve në Charlotte?
Diskutime të tilla janë vetëm pjesë e grupit. Dhe grupi ndonjëherë ka nevojë për qartësi.

Si do t’i kapërceni pasojat e finales së Champions League?
Jemi një grup i pjekur, me njëfarë eksperience, që di si t’i menaxhojë momente të caktuara. Dimë të pranojmë edhe kritikat, t’i përballojmë situatat e pakëndshme në aspektin mendor. Pritshmëritë për këtë skuadër ishin shumë të larta në maj, fatkeqësisht gjërat nuk shkuan siç i kishin imagjinuar të gjithë. Në aspektin psikologjik diçka zien, ka shumë zhgënjim, sepse kishte shumë dëshirë për të arritur diçka të rëndësishme. E bukura e futbollit është se gjithmonë vjen një ndeshje apo një sezon i ri dhe gjithçka nis nga e para, edhe pse duhet të pranosh realitetin. Ato që thuhen duhet të të shërbejnë si motivim për të ardhmen.

The post Chivu: Grupi është solid, të vendosur ta mbajmë Interin sa më lart në Itali dhe botë appeared first on Telesport.