Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së dytë në Serie A. Në “San Siro” ka ndodhur befasia e madhe, ku Inter u mposht 1-2 nga Udinese. Inter gjeti avantazhin në minutën e 15-të, pas një aksioni të gjatë, ku në fund Dumfries ndodhej në vendin e kohën e duhur për të dërguar topin në rrjetë.
Në minutën e 28-të, Dumfries bëhet sërish protagonist, por këtë herë për keq. Holandezi prek topin me dorë pas një goditjeje këndi në favor të Udinese. Pas ndërhyrjes së VAR-it dhe pasi pa pamjet në ekran, arbitri dha penallti, aty ku Keinan Davies u tregua i saktë dhë barazoi shifrat për miqtë.
Në minutën e 40-të, Arthur Atta shënon golin e dytë për Udinese, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe të finalizuar me sukses. Pjesa e parë mbyllet 1-2 për Udinese. Në fillim të pjesës së dytë Inter gjen golin e barazimit me Federico Dimarco, por anullohet nga VAR për pozicion jashtë loje të Marcus Thuram.
Pavarësisht tentativave të zikaltërve për të barazuar shifrat, rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Udinese fiton 1-2 dhe merr tre pikë të arta në “San Siro”. Cristian Chivu provon shijen e humbjes që në ndeshjen e dytë në kampionat, duke treguar që Interi i tij ka ende shumë punë për të bërë.
Në “Olimpico”, Lazio fitoi pastër 4-0 ndaj Veronës. Bardhekaltrit e drejtuar nga Maurizio Sarri shënuan dy herë brenda 10 minutave të para, Guendouzi 3′ dhe Zaccagni 10′. Castellanos shënoi golin e tretë në minutën e 42-të. Boulaye Dia shënoi golin e katërt për bardhekaltrit në minutën e 82-të. Elseid Hysaj u aktivizua në minutat e fundit.
The post Chivu “çalon” që në ndeshjen e dytë, Inter befasohet nga Udinese në “San Siro”. Lazio fiton bindshëm ndaj Veronës appeared first on Telesport.