Champions League: Real Madrid luan tenis ndaj Monaco, Napoli nuk di të fitojë. Olimpiacos dhe Ajax me fitore të rëndësishme (video)

Napoli rrezikon shumë në Champions League, pas barazimit 1-1 në transfertën ndaj Copenhagen. Për italianët shënoi i zakonshmi Scott McTominay në minutën e 39-të, skocezi u tregua i saktë në goditje me kokë pas një topi të ardhur nga këndi. Vendasit luajtën me një lojtar më pak që nga minuta e 35-të, Delaney u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje të rrezikshmë ndaj kundërshtarit. Barazimi i vendasve erdhi në minutën e 72-të me Jordan Larsson, i cili pasi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, e korrigjoi direkt gabimin, duke dërguar në rrjetë topin e kthyer mbrapsht nga pritja e portierit Milinkovic-Savic. Penalltia u shkaktua nga ndërhyrja e gabuar në zonë e Alessandro Buongiorno ndaj Mohamed Elyounoussi. rezultati final, 1-1. Të dyja ekipet momentalisht ndajnë vendin e 23-të dhe të 24-të, duke rrezikuar shumë ëpr play-offin.

Olympiacos ka marrë po ashtu një fitore shumë të rëndësishme në garën për të siguruar një biletë në play-off. Grekët fituan 2-0 ndaj Leverkusen. Costinha shënoi me kokë që në minutën e dytë, pas krosimit nga goditja e këndit. Taremi dyfishoi shifrat në fund të pjesës së parë.

Real Madrid bind në “Santiago Bernabeu”, pas fitores 6-1 ndaj Monaco, në ndeshjen e parafundit për këtë fazë në Champions League. Francezët u ndëshkuan nga ish-sulmuesi i tyre, Kylian Mbappe, që në minutën e 5-të, i cili shënoi pas asistit të Federico Valverde. Mbappe kërkoi “ndjesë” tifozëve të Monaco të pranishëm në stadium, për golin e tij. Në minutën e 26-të, një aksion model i madrilenëve, Arda Guler pason për Vinicius Junior, braziliani për Mbappe, francezi shënon golin e dytë personal dhe të dytin të takimit. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për madrilenët.

Real Madrid e nis po ashtu mjaft mirë edhe pjesën e dytë. Në minutën e 51-të, pas një asisti të bukur të Vinicius Junior, i dyti në këtë takim për brazilianin, Franco Mastantuono dërgon topin në rrjetë. Një gol çlirimi për argjentinasin, pas një periudhe të vështirë që ka kaluar kohët e fundit.

4 minuta më pas, sërish protagonist bëhet Vinicius Junior, ku topi i futur nga braziliani në zonë, devijohet në portën e tij nga Thilo Kehrer. Në minutën e 63-të, ishte radha e Vinicius Junior për të shënuar. Braziliani i cili shkëlqeu sonte, shënoi pas një asisti të Arda Guler dhe një veprimi të bukur të tij në zonë dhe më pas goditja e fuqishme që përfundoi në kuadrat.

Në minutën e 72-të, Monaco shënoi golin e nderit me Jordan Teze, pas një gabimit trashanik në zonë të Dani Ceballos. Në minutën e 81-të ishte radha e Jude Bellingham për të gjetur rrjetën. Rezultati final 6-1. Në ndeshjen e fundit, Ajax fitoi në transfertë 1-2 ndaj Villarreal.

SHIKOGOLAT

The post Champions League: Real Madrid luan tenis ndaj Monaco, Napoli nuk di të fitojë. Olimpiacos dhe Ajax me fitore të rëndësishme (video) appeared first on Telesport.