Përkrahja e qytetarëve spanjollë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, pavarësisht qëndrimit të ngurtë të qeverisë, lejon hapësirë për angazhim pragmatik për përmirësimin e marrëdhënieve, pa e imponuar çështjen e njohjes së Kosovës nga Spanja.
Një anketë e fundit e realizuar nga Komisioni Evropian rreth procesit të zgjerimit tregon një dinamikë të veçantë mes qëndrimeve zyrtare dhe perceptimeve qytetare për anëtarësimin potencial të Kosovës në Bashkimin Evropian, posaçërisht në Spanjë.
Eurobarometri për vitin 2025 zbulon se 53 për qind e qytetarëve spanjollë janë në favor të anëtarësimit të Kosovës në BE. Ky rezultat është inkurajues duke qenë se Spanja është pjesë e grupit të vendeve anëtare të BE-së që refuzojnë ta njohin Kosovën.
Spanja është e gjashta në Evropë për sa i përket nivelit të mbështetjes qytetare për anëtarësimin e Kosovës, pas Suedisë, Danimarkës, Kroacisë, Holandës dhe Finlandës, duke lënë pas edhe vende që konsiderohen mbështetëse tradicionale të Kosovës.
Yerai Dheur, studiues spanjoll, vlerëson për Albanian Post se ekziston një tendencë për të shmangur përmendjen e Kosovës në diskutimet publike dhe politike në Spanjë. Kjo do të thotë se, pavarësisht nivelit të lartë të mbështetjes qytetare për anëtarësimin e Kosovës, mungon përkrahja nga zyrtarë të lartë të qeverisë spanjolle që mund të japë një efekt të prekshëm: për shembull, sikurse në rastin e Palestinës apo Ukrainës.
Kjo, sipas tij, lidhet kryesisht me drojën e qeverisë në Madrid mbi lëvizjet e mundshme secesioniste në Katalonjë dhe Baski, ku liderët lokalë kanë treguar simpatinë e tyre për kauzën kosovare, duke e përdorur Kosovën si shembull për autonomi dhe pavarësi.
Megjithatë, progresi i fundit në marrëdhëniet Kosovë-Spanjë në nivel evropian, sikurse në rastin e liberalizimit të vizave dhe njohjen e pasaportës kosovare nga Spanja, kanë ndihmuar në rritjen e njohjes së çështjes kosovare nga publiku spanjoll, sipas Dheur.
“Për herë të parë, pas një kohe të gjatë, për Kosovën është diskutuar në dritë pozitive në publik. Prandaj, progresi gradual i raporteve dhe ndikimi i Kosovës në Katalonjë dhe Baski, sipas meje, ka bërë që publiku spanjoll të demonstrojë mbështetje prej 53 për qind për anëtarësimin potencial të Kosovës në BE, duke kundërshtuar kursin ende tradicional, por gradualisht në përmirësim, të mosnjohjes nga Spanja”, thekson ai.
Dheur argumenton se perceptimi publik nuk përcakton drejtpërdrejt politikat e zgjerimit në BE, por mund të ushqejë “presion të butë” mbi qeveritë nacionale. Në rastin e Spanjës, shton ai, kjo mund të hapë mundësi për angazhim pragmatik, përmes asaj që ai e cilëson “njohje funksionale pa njohje formale” duke lehtësuar bashkëpunimin në arsim, shkencë, tregti dhe mekanizmat e para-anëtarësimit të BE-së.
“Hapja e qytetarëve spanjollë ndaj Kosovës mund të zvogëlojë gradualisht ndarjen e fortë mes shteteve që e njohin dhe atyre që nuk e njohin Kosovën. Në praktikë, kjo mund t’i lejojë BE-së të lëvizë përpara me hapat gradualë të integrimit të Kosovës, sikurse qasja sektoriale në programet e BE-së, pjesëmarrja në iniciativa rajonale apo përafrimi me standardet evropiane, pa e imponuar drejtpërdrejt çështjen e njohjes”.
Por, vështirësitë për Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së mbeten të mëdha, duke marrë parasysh mungesën e njohjes nga katër vende të tjera anëtare – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro. Në fakt, krahas Spanjës, edhe qytetarët e Rumanisë (52 për qind) dhe Sllovakisë (51 për qind) shprehin mbështetje më të lartë sesa ata të Italisë (40 për qind), Gjermanisë (36 për qind), Francës (33 për qind) dhe Austrisë (28 për qind).
Ndryshe, shanset që Spanja të lëvizë drejt njohjes së Kosovës janë pothuajse minimale, kryesisht për shkak të narrativës së pavërtetë historike për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare dhe argumentin e përsëritur se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë përpara çdo hapi drejt njohjes.