Takimi i djeshëm i liderëve politikë me presidenten Vjosa Osmani nuk ka sjellë ndonjë zgjidhje për ngërçin politik. Partitë kanë shprehur pozicionet e tyre duke shpalosur edhe idetë si te dilet nga kjo situatë e që janë të kundërta me njëra-tjetrën.
Në takim kanë qenë kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ai i PDK, Mëmli Krasniqi, kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku si dhe kryetari i AAK, Ramush Haradinaj.
Pas takimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se kishte kërkuar nga Kurti që të ndryshojë kandidaturën për kryesuese të Kuvendit, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për të dalë nga situata aktuale.
“Në emër të PDK-së, kërkova që kryetari i VV-së, deputeti Kurti, ta ndryshojë kandidaten. Një gjë e tillë nuk pres që do të ndodh. Jemi në situatën e njëjtë ku jemi”, tha Krasniqi.
Edhe Ramush Haradinaj nga AAK e mirëpriti ftesën e Presidentes dhe kërkoi që kandidati për kryetar të Kuvendit të jetë një figurë unifikuese. “E kemi mirëpritur këtë mundësi të bisedës me presidenten”, u shpreh ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u shpreh i zhgënjyer me rezultatin e takimit, duke thënë se mungoi çdo iniciativë për zhbllokim të situatës nga partia në pushtet. “Nga partia e parë nuk ka brengë, as urgjencë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë”, theksoi ai.
Ndërsa, Presidentja Osmani tha se nëse zvarritja vazhdon, nuk përjashtohet mundësia që çështja të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Dërgimin në Gjykatë Kushtetuese e kemi diskutuar për herën e parë,” u shpreh Osmani, duke shtuar se kishte parë një “disponim minimal” nga liderët për të gjetur zgjidhje.
Derisa, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti nuk dha asnjë koment për mediat pas takimit.