Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj
Para mijëra viteve Ciceroni kishte deklaruar në Romën e lashtë “Silent enim leges inter arma”, e që do të thotë: “ligji pushon në mesin e armëve”. Pra, kur armët flasin, ligji pushon së vepruari. Edhe në kohët tona shumë njerëz kanë hamendësuar madje edhe mohuar se ligji mund të rregulloj sjelljet e njerëzve në një situatë të dhunshme dhe anarkie, siç është konflikti i armatosur. Për më tepër, e drejta e brendshme e shteteve ndalon konfliktet e brendshme të armatosura ndërsa e drejta ndërkombëtare i konsideron të paligjshme konfliktet e armatosura ndërkombëtare por përkundër kësaj konfliktet e armatosura janë realitet i përditshmërisë së shoqërisë njerëzore. Megjithatë, nuk ekzistojnë arsye konceptuale që një realitet i tillë shoqëror, fatkeqësisht si një nga format më të vjetra të ndërveprimit mes grupeve të organizuara të shoqërisë, të mos futet në kontrollë nga ligji (e drejta).
Historia dëfton se sapo të shfaqet një realitet në shoqëri, qoftë i organizuar ose jo, shfaqen edhe ligje të aplikueshme për atë realitet të dhënë. Njerëzit me prapavije të ndryshme kulturore, politike, intelektuale dhe emotive pajtohen se të vrasësh një ushtar armik në fushëbetejë dhe të vrasësh gra dhe fëmijë, sepse i përkasin palës tjetër, nuk janë veprime të barasvlershme.
Është menduar se me zgjerimin e marrëdhënieve mes shteteve, me daljen në skenë të ideve të reja demokratike e përparimtare do të mund të krijoheshin rrethana për zhdukjen e luftës në shoqëritë bashkëkohor. Realiteti dëfton se në fazën e tanishme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, lufta nuk është arritur të përjashtohet si dukuri, por është shpërfaqur në përmasa dhe shkelje që nuk janë evidentuar më herët në periudha të ndryshme historike (konteksti i Kosovës dhe i Bosnjës).
Për më tepër, zbatimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998 – 1999) është sfiduar seriozisht nga forcat serbe të orkestruara dhe të komanduara nga qarqet politike në Beograd. Jugosllavia e atëhershme ishte nënshkruese dhe ratifikuese e Konventave të Gjenevës dhe Protokolleve shtesë, të cilat përmes 600 neneve të ndryshme, në mënyrë taksative, përkufizonin mbrojtjen e popullatës civile dhe atyre që nuk ishin palë në konflikt. Njësitë ushtarake, paramilitare dhe policore serbe kanë bërë krime të rënda në Kosovë, përmasash të krimeve kundër njerëzimit, duke vrarë, ekzekutuar, masakruar dhe torturuar në mënyrë më të tmerrshme viktimat. Gjurmët e krimeve janë fshehur duke varrosur, zhvarrosur dhe duke i bartur trupat nga një vend në tjetrin, duke i hedhur në puse e humnera ose duke i djegur e zhdukur në mënyra të ndryshme.
Vlerësohet, se gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kanë vrarë, ekzekutuar apo masakruar në forma më mizore, rreth 13,000 shqiptarë, ku 90 % prej tyre ishin civilë të pa armatosur. Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar mijëra femra shqiptare. Gjithashtu, mësohet për rrëmbimin e mbi 4 mijë shqiptarëve, ku pas luftës një pjesë e tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi e Kosovë, ndërsa akoma nuk dihet për fatin e 1600 të tjerëve. Sipas një përllogaritje, gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rëndë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1,100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200,000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj. Forcat serbe zhvendosen dhunshëm afro 700,000 shqiptarë për në Shqipëri, 210, 000 në Maqedoni, 60,000 në Mal të Zi, 20,000 shqiptarë për në Bosnje e Hercegovinë dhe 140,000 shqiptarë në viset tjera të botës. Sipas Human Rights Watch, në pranverë të vitit 1999, forcat serbe zhvendosën dhunshëm nga Kosova mbi 850, 000 shqiptarë.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, forcat serbe kanë vrarë një numër të konsiderueshëm të njerëzve dhe mbetjet mortore të tyre janë dërguar në drejtime të panjohura. Pas përfundimit të luftës së fundit, struktura të ndryshme ndërkombëtare kanë bërë hulumtimin e vendndodhjes së mbetjeve mortore duke u bazuar në dëshmitë e popullatës me ç’rast kanë gjetur shumë varreza masive dhe individuale me mbetje mortore të panjohura. Listat e para të personave të pagjetur janë përgatitur nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, në shtator të vitit 1999. Lista përmbante emrat e 6024 personave, 95 % e të cilëve ishin shqiptar me status të civilëve. Rreth 800 persona prej kësaj liste janë gjetur të gjallë në burgjet serbe, të cilët janë kthyer në Kosovë deri në fund të vitit 2001. Nga 6024 raste sa janë raportuar, ende nuk dihet për fatin e 1600 personave. Organet serbe në mënyrë sistematike janë munduar t’i fshehin dëshmitë për vrasjet, duke i larguar trupat, zhvendosjen e tyre nga varrezat masive në varreza individuale, duke i djegur trupat dhe duke i ndërruar rrobat ose gjësendet personale të viktimave me qëllim të ndërlikimit të procesit të identifikimit. Duke ju falënderuar bashkëpunimit në mes të organizatave ndërkombëtare dhe popullatës në Kosovë dhe presionit që është ushtruar ndaj Qeverisë së Serbisë, disa mijëra mbetje mortore të shqiptarëve të Kosovës janë gjetur në varrezat masive gjithandej Serbisë (Batajnica I, Batajnica II, Petrovo Selo, Peruçac, Gjerdap, etj.).
Pra, forcat serbe kanë shkelur ne mënyrë drastike të drejtën ndërkombëtare humanitare, ndër të tjera, duke rrëmbyer civilë dhe duke i vrarë dhe dërguar në drejtime të panjohura. Kështu ato kanë shkelur nenin 3 të përbashkët për katër konventat e Gjenevës, konventën IV të Gjenevës dhe Protokollin II shtesë të Konventave të Gjenevës. Përpos kësaj, Qeveria e Serbisë, edhe 25 vite pas lufte është duke cenuar të drejtën e familjarëve të personave të pagjetur për të ditur fatin e më të dashurve të tyre të rrëmbyer nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1998 -1999. Në vijim po shpalosim nenin 33 dhe 34 të Protokollit të Parë Shtesë të Konventave të Gjenevës i cili është i ndërlidhur me personat e zhdukur, nene këto që vazhdojnë të shkelen nga Serbia edhe pse është nënshkruese dhe ratifikuese e Protokollit të Parë Shtesë. Sipas nenit 33 të Protokollit të Parë Shtesë të Konventave të Gjenevës, secila Palë në konflikt duhet të kërkojë personat, zhdukja e të cilëve është njoftuar nga një Palë kundërshtare. Secila Palë në konflikt duhet të regjistroj të dhënat mbi personat që janë kapur, burgosur ose mbahen robër për shkak të luftimeve, si dhe për ata që kanë vdekur gjatë mbajtjes në arrest. Informatat mbi personat, zhdukja e të cilëve është sinjalizuar në zbatim të paragrafit 1, si dhe kërkesat lidhur me këto informata bëhen, ose drejtpërdrejtë, ose me ndërmjetësimin e një Fuqie mbrojtëse, Agjencisë Qendrore të Kërkimeve të Komitetit Ndërkombëtarë të Kryqit të Kuq.
Mbetjet mortore të personave të vdekur që lidhen për shkaqet e luftimit duhen respektuar dhe varrosur duke i trajtuar dhe shënjuar me shenja të veçanta. Menjëherë sa të lejojnë rrethanat dhe marrëdhëniet midis Palëve kundërshtare, duhet të përfundojnë marrëveshje me qëllim që të lehtësojnë dhënien e kufomave anëtarëve të familjes si dhe të lehtësojnë kthimin në vendlindje të mbetjeve të personave të vdekur dhe të sendeve të tyre personale, me kërkesë të vendit ose të familjes së tyre.
Lufta e fundit në Kosovën ka shkaktuar krime dhe shkatërrime përmasash të mëdha dhe me pasoja të shumta të karakterit afatshkurtër dhe afatgjatë. Shtrirja e shkatërrimeve ka përfshirë të gjithë territorin e Kosovës, kuptohet, intensiteti dhe ritmi i tyre ka qenë i ndryshueshëm. Shkatërrimet më të mëdha janë kryer në kapacitetet njerëzore, ku krimet e bëra ndaj njerëzimit, sidomos në vitet 1998 e 1999 kanë qenë më të rëndat. Këto kanë përfshirë të gjitha moshat e dy gjinive, kanë goditur popullsinë e vendeve urbane e rurale duke qenë të drejtuara dhe të përqendruara ndaj popullsisë civile shqiptare në rend të parë.
Deri më sot, disa individë janë gjykuar, ose ende ndodhen në gjykim për veprat të cilat rrjedhën nga konflikti i armatosur në Kosovë. Ka pasur 1,187 vepra të dyshuara të krimeve të luftës të dala nga konflikti, të cilat i identifikoi UNMIK-u dhe ia kaloi EULEX-it. Që prej fillimit, vënia në prioritet e rasteve të krimeve të luftës shpesh ka qenë në fokus të diskursit publik, por ishte prioritet vetëm në emër. Kurrë nuk janë caktuar resurse të mjaftueshme për këtë qëllim. Nuk janë marr as vendime që të vendosen krimet e luftës mbi prioritetet tjera. Sa më të vjetra bëhen rastet e krimeve të luftës, aq më të vështira bëhen për tu gjykuar. Viktimat, dëshmitarët dhe dëshmitë mund të bëhen më pak të qasshme me kalimin e kohës. Në rastet tjera, të akuzuarit kanë ikur nga juridiksioni dhe nuk ka shumë gjasa që ata të kthehen. Bashkëpunimi jo i mjaftueshëm rajonal në gjetjen e vendndodhjes së dëshmitarëve dhe të akuzuarve për gjykim, gjithmonë ka qenë problematik.
Popullata shqiptare në Kosovë nuk do të jetë në gjendje që ta mbyll këtë kapitull të vështirë të jetës së tyre dhe të ecin më tutje, derisa rastet e krimeve të luftës të mos trajtohen si duhet nga sistemi gjyqësor vendor dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale.