Çeku publikon listën e kandidatëve për Asamblenë e Prishtinës – 48% gra në garë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njëherësh kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka dorëzuar sot listën e kandidatëve për Kuvendin e Komunës së Prishtinës, duke e prezantuar edhe publikisht përmes një postimi në rrjete sociale.

Sipas tij, lista përfaqëson zërin e punëtorëve, të rinjve, grave, profesionistëve dhe aktivistëve, duke nënvizuar përbërjen e saj me 48% gra, përfshirë një grua si bartëse të listës dhe gjashtë gra në dhjetëshen e parë.

“Barazia gjinore nuk është dekor, por bosht i vizionit tonë politik,” ka shkruar ai.

Ai ka thënë se kjo është një “listë e fitores së përbashkët” që bashkon dijen, përvojën, guximin dhe integritetin e kandidatëve që synojnë ta kthejnë qeverisjen e kryeqytetit në shërbim të shumicës, jo të një pakice të privilegjuar.

Çeku ka përfunduar postimin me mesazhin: “Për Prishtinën tonë të barabartë, të gjallë dhe të drejtë!”

The post Çeku publikon listën e kandidatëve për Asamblenë e Prishtinës – 48% gra në garë appeared first on Kosovapost.net.