Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, u përgjigj ndaj akuzave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se ka bllokuar projektet në kryeqytet, duke theksuar se veprimet janë bërë sipas ligjit për mbrojtje të trashëgimisë kulturore.
Ai tha se institucionet që kujdesen për trashëgiminë nuk ndalojnë zhvillimin, por e kontrollojnë për të mos dëmtuar vlerat kulturore.
“E ana jonë, vetëm politik nuk po bëhet me këto çështje, sepse mënyra se si vepron mekanizmi i trashëgimisë kulturore, ku përfshihet një numër i madh i institucioneve nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë në Prishtinë, te Instituti i Monumenteve, te Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore dhe mekanizma të tjerë përkatës. Është ky i njëjti, kështu ka vepruar në këtë mandat, kështu ka vepruar edhe më herët, pra po flasim për institucionet e trashëgimisë kulturore që kujdesen për zonat e mbrojtura, mbi një mijë e pesëqind të tilla në gjithë Kosovën dhe sa herë që ka zhvillime brenda këtyre zonave të mbrojtura këto institucione kujdesen që ato zhvillime, ato projekte nuk e cenojnë monumentin”, tha Çeku në ATV
Sipas tij, shteti ka për detyrë të sigurohet që projektet në zonat e mbrojtura të jenë të kontrolluara dhe të mos dëmtojnë vlerat historike.
“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk nënkupton ndalim të zhvillimit, përkundrazi, vetëm se ky është një zhvillim i kontrolluar, sepse shteti kur e shpall një monument dhe një zonë në mbrojtje, e shpall për një arsye të caktuar historike, kulturore dhe të tjera. Prandaj, e ka për detyrë me u kujdes se çfarëdo që ndodhë brenda asaj zone është kontrolluar në mënyrë që mos cenohen këto vlera të cilat shteti i ka shpallë si vlera”, u shpreh Çeku.