Çdo foshnje në Mbretërinë e Bashkuar do t’i nënshtrohet testimit të ADN-së

Çdo foshnje e lindur në Mbretërinë e Bashkuar do t’i nënshtrohet testimit të ADN-së si pjesë e një plani të ri 10-vjeçar për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (NHS).

Mjekësia e personalizuar, e mundësuar përmes testimeve si analiza e ADN-së, do të jetë një pjesë qendrore e planit të ri të Sekretarit të Shëndetësisë për NHS-në. Sekuencimi i plotë i gjenomit do të shërbejë për të zbuluar qindra sëmundje dhe do t’u mundësojë njerëzve të “parakalojnë” sëmundjet vdekjeprurëse, sipas Sekretarit të Shëndetësisë, Wes Streeting.

Duke folur për “The Telegraph”, ai zbuloi planet për të orientuar NHS-në drejt një modeli që fokusohet në parandalimin e sëmundjeve në vend të trajtimit të tyre.

Aktualisht, foshnjave të porsalindura u ofrohet një test gjaku rreth ditës së pestë të jetës, për të kontrolluar nëntë sëmundje të rralla por serioze.

Në ato teste me pika gjaku, thembra e foshnjës shpohet për të mbledhur disa pika gjaku në një kartë, por me sekuencimin e plotë të gjenomit, mostrat e gjakut zakonisht merren nga kordoni umbilikal menjëherë pas lindjes.

Mjekësia e personalizuar, e mundësuar përmes testimeve si analiza e ADN-së, do të jetë pjesë qendrore e këtij plani, me 650 milionë £ të zotuara nga qeveria për kërkime në fushën e gjenomikës.

“Revolucioni në shkencën mjekësore do të thotë se mund ta transformojmë NHS-në gjatë dekadës së ardhshme, nga një shërbim që diagnostikon dhe trajton sëmundjet, në një që i parashikon dhe i parandalon ato,” tha z. Streeting në një deklaratë.

“Gjonomika na jep mundësinë që ta parakalojmë sëmundjen, që të jemi përpara saj në vend që të reagojmë ndaj saj.”

Plani i ardhshëm për sektorin e shkencave të jetës do të publikohet në fillim të korrikut. Në të kaluarën, z. Streeting ka folur për dëshirën e tij për ta bërë NHS-në më parandaluese, për të ulur shkallën e sëmundjeve të rënda dhe për të kursyer shpenzime.

Teknologjitë si inteligjenca artificiale do të përdoren nga shërbimi shëndetësor për të parashikuar sëmundjet dhe për të mundësuar trajtim apo mjekim shumë më herët.

“Me fuqinë e kësaj teknologjie të re, pacientët do të marrin kujdes të personalizuar shëndetësor për të parandaluar sëmundjet para se të shfaqen simptomat, duke ulur presionin mbi shërbimet e NHS-së dhe duke ndihmuar njerëzit të jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm,” tha z. Streeting.

Përveç fokusit më të madh në parandalim, plani 10-vjeçar i Qeverisë pritet të përfshijë edhe dy “ndryshime” të tjera të z. Streeting për NHS-në: zhvendosjen e kujdesit nga spitalet drejt komuniteteve dhe kalimin nga shërbimet analoge te ato digjitale.

Plani vjen pas njoftimit të Kancelares Rachel Reeves se qeveria do të rrisë buxhetin e NHS-së me 29 miliardë £ në vit në vlera reale gjatë tre viteve të ardhshme, në përpjekje për të shkurtuar listat e pritjes, në përputhje me premtimet elektorale./rtk

The post Çdo foshnje në Mbretërinë e Bashkuar do t’i nënshtrohet testimit të ADN-së appeared first on Kosovapost.net.