Carlo Ancelotti e zgjedh ekipin që do ta fitonte sivjet Ligën e Kampionëve, në vend të Real Madridit
Real Madridi po synon që ta mbrojë titullin e kampionit në Ligën e Kampionëve, pasi triumfoi herën e kaluar në këtë kompeticion.
Në qershor të vitit 2024, Real Madridi i Carlo Ancelotti arriti fitore prej 2-0 në finalen e LK-së, duke mposhtur Borussia Dortmundin.
Por, këtë sezon, Real Madridi e ka nisur jo mirë në fazën e ligës së LK-së, pasi fitoi vetëm pesë nga tetë ndeshje në formatin e ri.
Reali u mposhtë nga Lille, Milani dhe Liverpooli, duke bërë kështu që të përfundojë në vendin e 11-të, tri vende larg top 8-shes që siguron kalimin menjëherë në fazën e 1/8 së finales.
Kësisoji, Realit i duhet të luajë në fazën e “play-offit” për të siguruar kalimin tutje.
Fati deshi që të kemi për herën e katërt radhazi një përballje mes Realit e Manchester Cityt, me ndeshjen e parë që luhet sonte në “Etihad Stadium”, me fillim nga ora 21:00.
Para duelit të sontëm, Carlo Ancelotti ka dhënë një deklaratë në konferencën për shtyp të ditës së djeshme.
Tekniku italian ka thënë se kush do të kalojë nga kjo përballje, do ta fitojë edhe Ligën e Kampionëve.
“Jam i bindur që kushdo kalon nga dueli jonë, do ta fitojë edhe Ligën e Kampionëve”, tha ai fillimisht.
Ancelotti foli edhe për përballjen me Cityn, e cila është bërë e zakonshme viteve të fundit.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne. E vështirë edhe për t’u parashikuar. Kush do të ketë më shumë vetbesim do të kalojë tutje. Mund ta quaj edhe si një ‘klasike’ këtë përballje, sepse viteve të fundit kemi luajtur shumë bashkë me njëri-tjetrin”, shtoi Ancelotti.
Herën e fundit kur këto dy skuadra u përballën në Ligën e Kampionëve, ishte Real Madridi që kaloi më tutje, pasi e mposhti Cityn në penallti, për ta siguruar gjysmëfinalen ndaj Bayern Munchenit./GazetaExpress/