Bernë – Intervistë e ish-Prokurores së Përgjithshme e OKB për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Carla del Ponte.
Presidenti kosovar Hashim Thaçi dha dorëheqjen të enjten e kaluar të javës së kaluar pas padisë së tij në gjykatën e Hagës për krime lufte në fund të viteve 1990. Thaçi u transferua në qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hollandë, së bashku me tre ish-udhëheqësit e UÇK: Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Kryetari i PDK-së, njëherësh themelues i UÇK-së, Kadri Veseli, njoftoi gjithashtu të enjten konfirmimin e padisë së tij nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas aktakuzës, dyshohen për “vrasje, zhdukje me forcë, persekutime dhe tortura” veprime të pretenduara të kryera midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999’.
Kur u pyet se si reagoi ajo ndaj lajmit për arrestimin e Hashim Thaçit, Carla del Ponte, ish-Prokurore e Përgjithshme e OKB për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, iu përgjigj gazetës në Zvicër “Le Canton27.ch”:
“Ky është një lajm shumë i mirë nga pikëpamja e drejtësisë për viktimat. Siç e kam thënë gjithmonë, nuk do të ketë paqe në ish-Jugosllavi ose në Kosovë pa arrestimin e të implikuarëve në krime lufte.
Unë mendoj se z. Thaçi bëri mirë që dha dorëheqjen si president për imazhin e Kosovës. Fatkeqësisht koha ka kaluar, ka një vonesë në drejtësi dhe kjo mund të funksionojë në favor të autorëve të krimit. Në të vërtetë, provat mund të zhduken … ashtu si dhe dëshmitarët,” tha ajo.
“Për herë të fundit u takova me z. Thaçi në 10-vjetorin e Konferencës së Dejtonit. I thashë se do të hetonim në terren tashmë. Ai m’u përgjigj se UÇK-ja nuk kishte bërë kurrë ndonjë krim dhe ishin serbët ata që kishin marrë uniformat e UÇK-së!”
Në mediat ndërkombëtare, raportet përmendën se Thaçi ishte i përfshirë në trafikimin e organeve, megjithatë në padinë e ish-Presidentit të Kosovës dhe tre të akuzuarve të tjerë në Hagë, kjo nuk përmendet.
Në lidhje me këtë pyetje, del Ponte u përgjigj se “realisht me të vërtetë e çuditshme, sepse ky trafik organesh përmendet nga prokurori amerikan John Clint Ëilliamson, i konfirmuar më parë nga z. Dick Marty.
“Përsa më përket mua, kurrë nuk e kam akuzuar z. Thaçi për trafik organesh. Lidhur me krimet e tjera gjatë dhe pas luftës, përfshirë ato të rivalëve politikë të LDK-së së Ibrahim Rugovës, kjo është një çështje tjetër që do të trajtohet nga Gjykata Penale e Hagës në ditët në vijim.”
Sipas gazetës “Le Canton27.ch” ne Zvicër, në tekstin e aktakuzës kundër Thaçit dhe kundër tre personave të tjerë në paraburgim në Hagë, thuhet se këta persona i përkasin “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”
E njëjta akuzë gjendet në aktakuzën e ish-Presidentit serb Sllobodan Millosheviç, që duket se është bërë një “copy-past”!
A mund të krahasohen krimet e forcave serbe të Millosheviçit me ato të UÇK-së?
Del Ponte u përgjigj: “Jo, kjo është diçka tjetër. Nuk mund të krahasohen krimet e forcave të Millosheviçit me ato të UÇK-së. Ky është një gabim i madh nga ana e atyre që përgatitën këtë aktakuzë.
Siç e dini, forcat serbe të udhëhequra nga Millosheviçi kryen krime të rënda kundër njerëzimit, masakra, gjenocide dhe spastrime etnike në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. Ne nuk duhet të harrojmë përdhunimin e 20,000 vajazave dhe grave kosovare gjatë konfliktit.
Lidhur me shprehjen “ndërmarrje e përbashkët kriminale” në aktakuzë, e shoh si diçka të ekzagjeruar. Dhe unë gjithashtu dyshoj si ju, nëse ata që e përpiluan këtë akt-akuzë i bënë “copy-past”, akt-akuzës kundër Millosheviçit dhe kjo gjë nuk është e drejtë.
Lidhur me kohën e veprimit të kësaj Gjykate Speciale është e vështirë të thuhet. E gjitha varet nga numri i aktakuzave dhe numri i çështjeve që do të procedohen.
Si prokurore, e di kur fillon një gjyq, por jo kur do të mbarojë.
Unë ju kujtoj se ICTY për ish-Jugosllavinë e filloi punën e tij në 25 maj 1993. Në fillim ne kishim menduar se do të zgjaste rreth dhjetë vjet … Por puna përfundoi në 2017, domethënë 25 vjet më vonë”, tha në fund ish-prokurorja del Ponte.
Lufta e fundit në ish-Jugosllavi përfundoi me një bilanc tragjik. Forcat serbe në Kosovë vranë mbi 13 mijë kosovarë, kryesisht fëmijë, gra dhe pleq, dhunuan rreth 20000 gra e vajza dhe dëbuan thuajse një milion refugjatë jashtë kufijve, në Shqipëri e Maqedoni.