Interi vazhdon të përballet me çështjen e Hakan Çalhanoglu, i cili është gjithmonë e më pranë largimit. Mesfushori turk, i ardhur 4 vite më parë te zikaltrit me parametër zero nga Milani, po i bën presion presidentit Giuseppe Marotta për t’u liruar me një çmim të ulët në favor të Galatasaray. Lajmin e raporton “Il Giornale”, që përshkruan një situatë të re në shtëpinë zikaltër.
Dëshira e numrit 20 të skuadrës së Cristian Chivu ka qenë e qartë prej ditësh, por në “Viale della Liberazione” kanë kërkuar gjithmonë 35-40 milionë euro nga klubi i Stambollit për ta lënë të lirë. 31-vjeçari ka një raport shumë të mirë si me drejtuesit, ashtu edhe me shokët e skuadrës dhe tifozët, të cilët e kanë adhuruar që nga fillimi si një idhull, duke i kushtuar edhe një këngë speciale, që e kanë kënduar në çdo ndeshje, si në “San Siro”, ashtu edhe në transfertë.
Gjatë karrierës së tij, lojtari i lindur më 1994 ka veshur fanellat e Interit, Milanit, Bayer Leverkusenit, Karlsruher SC dhe Hamburgut, përveç asaj të kombëtares së Turqisë. Me zikaltrit ka grumbulluar 182 paraqitje (36 në Champions League, 128 në Serie A, 6 në Superkupën Italiane dhe 12 në Kupën e Italisë), ka shënuar 38 gola (6 në Champions, 28 në Serie A, një në Superkupë dhe 3 në Kupë).
The post Çalhanoglu rrit presionin ndaj Interit, kërkon të largohet me kosto sa më të ulur appeared first on Telesport.