Çalhanoğlu: Qëndroj tek Interi. Lautaro? Kemi sqaruar gjithçka, kur të kthehet do përqafohemi

Hakan Çalhanoğlu konfirmon qëndrimin tek Interi. Pas deklaratës së agjentit të tij, Gordon Stipic, ka ardhur edhe reagimi direkt i mesfushorit turk, i cili ka mbërritur para pak minutash në qendrën stërvitore të “Appiano Gentile”:

“Është gjithçka në rregull. Pushimet e mia nuk kanë qenë të lehta, me shumë spekulime. Sidoqoftë, kam qenë gjithmonë në kontakt me klubin. Kam punuar gjatë gjithë kohës, kam bërë përgatitje të plota dhe jam kthyer në gjendje optimale. Jam i lumtur që rikthehem këtu”.

Lidhur me zërat e merkatos: “Ka pasur si çdo vit, edhe pse këtë herë pak më shumë. Nuk thashë asgjë, sepse doja që njerëzit, tifozët tanë, të më shihnin kur të kthehesha këtu. Nuk mendoj se është e drejtë të flitet gjithmonë”.

A është i lumtur që qëndron: “Sigurisht që po. Jam lojtar i Interit dhe gjithmonë kam thënë se dua të vazhdoj këtu”.

A mund të rinovojë: “Shpresoj… Do të shohim çfarë do të ndodhë vitet në vijim, por objektivi im është të jem këtu dhe të fitoj trofe”.

A ka folur me Lautaron: “Po, sigurisht. Jemi profesionistë, jemi të pjekur. Gjithçka është sqaruar, nuk ka asnjë problem. Kur të kthehet kapiteni do përqafohemi, tani është me pushime. Ishim të mbingarkuar mendërisht, tani jemi më të qetë dhe do të shikojmë përpara”.

The post Çalhanoğlu: Qëndroj tek Interi. Lautaro? Kemi sqaruar gjithçka, kur të kthehet do përqafohemi appeared first on Telesport.