Që nga mbrëmja e së hënës, në shtëpinë e Interit ka shpërthyer zyrtarisht çështja Hakan Çalhanoğlu. Shpërthimi i kapitenit Lautaro Martinez, pas eliminimit nga Botërori për Klube, ishte drejtuar pikërisht ndaj mesfushorit turk, i cili shkoi me pushime para kohe, pas rezultateve të ekzaminimeve mjekësore në prag sfidës ndaj River Plate: inflamacion në muskulin soleus të këmbës së djathtë.
Mesfushori turk, i cili fluturoi me ekipin në SHBA, u përpoq të rikuperonte për t’u vënë në dispozicion të Chivu, por duhej të përballej me një dëmtim që e detyroi të dorëzohej pikërisht në momentet më të rëndësishme të sezonit. Turku ndaloi pas një sezoni me 47 ndeshje zyrtare të luajtura dhe 11 golave të shënuar si zikaltër.
Çalhanoğlu u sulmua ashpër të hënën nga kapiteni i tij. Nëse mesazhi i argjentinasit nuk ishte i qartë për të gjithë menjëherë, presidenti Marotta u kujdes ta sqaronte: “Po, ai i referohej pikërisht Çalhanoğlu”. Grupi zikaltër, po ashtu si klubi, nuk po e pranojnë mirë hapjen e Çalhanoğlu ndaj transferimit te Galatasaray, skuadra e zemrës së tij. Tani po e vendosin në presion, duke e nxjerrë në dritë të keqe…
Megjithatë, vetë Interi, në verën e vitit 2021 përfitoi nga thyerja midis Çalhanoğlu dhe Milanit për ta marrë falas, një nga goditjet më të mira të zikaltërve në vitet e fundit. Simone Inzaghi ishte i zgjuar ta kthente atë në një nga mesfushorët më të mirë të Europës, duke e bërë turkun “regjinë” e skuadrës që në vitet e fundit ndoshta ka korrur më pak sesa ka mbjellë.
Çalhanoğlu, i cili katër vite më parë u transferua falas nga Milani tek Interi, falë paraqitjeve të tij me zikaltrit ka parë rritjen e vlerës si futbollist. Një vit më parë, rreth kësaj kohe, për të u interesua Bayern Munich. Me 60 milionë euro dhe pëlqimin e lojtarit, turku do të kishte ikur.
Atëherë ishte Çalhanoğlu që kundërshtoi: “Jam jashtëzakonisht i lumtur tek Interi. Marrëdhënia që kam me klubin dhe tifozët tanë të mrekullueshëm është vërtet speciale. Së bashku kemi arritur rezultate të rëndësishme, jam entuziast për të fituar edhe më shumë trofe me Interin në të ardhmen”.
Sot, situata është ndryshe sepse Galatasaray për Çalhanoğlu dhe familjen e tij ka një vlerë tjetër. Kështu, futbollisti i lindur më 1994, që mbushi 31 vjeç në shkurt, ka hapur mundësinë për këtë transferim.
Po Interi? Ka shprehur dëshirën për qartësi, por më pas ka vendosur një çmim jozyrtar: 40 milionë euro për ta shitur, 4 vite pas transferimit falas. Interesi ekziston dhe është i njohur, por oferta zyrtare nuk ka mbërritur ende. Pikërisht kjo pritje po e lodh shumë Interin sot, më shumë se një largim i mundshëm në kushtet e duhura.
The post Çalhanoğlu nuk ka qenë kurrë i paprekshëm, mjafton oferta e duhur (si një vit më parë) appeared first on Telesport.