Calhanoglu humbi derbin, problem i ri muskulor. Do të mungojë edhe ndaj Atalantës

Hakan Çalhanoğlu nuk luajti asnjë minutë në derbin mes Interit dhe Milanit, duke e ndjekur humbjen nga stoli. Shumë tifozë prisnin hyrjen e tij në pjesën e dytë për të ndihmuar në goditjet standarde dhe gjuajtjet nga distanca, por mesfushori turk mbeti në stol gjatë gjithë ndeshjes.

Arsyeja është një problem i ri fizik. Sipas komunikatës zyrtare të klubit, ai ka pësuar një shqetësim të lehtë muskulor në aduktorët e kofshës së djathtë, ndaj do të mungojë edhe në ndeshjen kundër Atalantës, të shtunën. Lojtari iu nënshtrua rezonancës magnetike në “Istituto Clinico Humanitas” dhe gjendja e tij do të vlerësohet në ditët në vijim.

Trajneri Cristian Chivu kishte deklaruar pas derbit “nuk ishte mirë”, ndonëse një ditë më herët kishte thënë se lojtari ishte gati. Çalhanoglu ishte dëmtuar edhe më parë kundër Juventusit, duket se ka pësuar një rikthim të problemit. Gjendja e tij shqetëson edhe kombëtaren e Turqisë para “play off”-it të Botërorit kundër Rumanisë.

The post Calhanoglu humbi derbin, problem i ri muskulor. Do të mungojë edhe ndaj Atalantës appeared first on Telesport.