Caktohet seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës, të gjithë në arrati

Në qershor pritet të nisë procesi gjyqësor për njërën prej masakrave më të mëdha që ndodhi në Kosovë gjatë luftës. Veprimet e 53 të akuzuarve në masakrën e Mejës, janë të përfshira në 108 faqe në aktakuzën e Prokurorisë Speciale. Gjykata Themelore në Prishtinë, tashmë ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar, duke iu kërkuar të akuzuarve që të dorëzohen, meqë asnjëri nuk është i arritshëm deri më tash për organet e drejtësisë.

Rreth 260 dëshmitarë që panë e përjetuan masakrën që ndodhi në prillin e 1999 në disa fshatra të komunës së Gjakovës, janë të përfshirë në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale për këtë masakër.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar seancën fillestare për muajin qershor ndaj 53 të akuzuarve për këtë masakër, shumica prej tyre të nacionalitetit serb, që gjatë luftës kishin pasur pozita në ushtri e në polici.

Prokuroria Speciale i akuzon të njëjtit për krime lufte kundër popullsisë civile, duke vrarë 370 civilë shqiptarë.

“…kanë filluar që të shtënë në drejtim të fshatrave me artileri të rënd duke bombarduar çdo fshat dhe çdo shtëpi dhe në fund kanë hyrë me këmbësori në të gjitha fshatrat e lartcekura dhe duke shkuar shtëpi për shtëpi, nën kërcënimin e armëve me forcë dhe kanosje, i detyrojnë civilët që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe duke i grumbulluar në vende të caktuara ashtu që kolonat e njerëzve të dëbuar të nisën në drejtim të Shqipërisë, dhe gjatë këtij rrugëtimi ishin të detyruar të kalojnë nëpër tri pika kontrolli të vendosura në fshatrat Meje, Korenice dhe Orize, ku gjatë këtyre kontrolleve forcat serbe i ndajnë burrat nga grat dhe fëmijët, këta të fundit nën kërcënimin e armëve i urdhërojnë që të largohen në drejtim të Shqipërisë kurse burrat i ekzekutojnë në mënyrë më barbare në vende të ndryshme, me ç’rast në fshatin meje u vranë 283 civil, në fshatin Korenicë u vranë 66 civilë, në fshatin pacaj 1 civil, në fshatin Dobrosh 3 civil, në fshatin Rracaj 3 civil, në fshatin Nec 2 civil, në fshatin Ramoc 5 civil, në fshatin Bishtazhin 7 civil, gjithsej 370 civil të nacionalitetit shqiptar, emrat e të cilëve gjenden në shojcën 1 të kësaj aktakuze, trupat e të cilëve janë gjetur në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.” – Aktakuza.

Prokuroria i ka propozuar gjykatës mbajtjen e gjykimit në mungesë meqë asnjëri nga të akuzuarit nuk ka qenë i qasshëm për institucionet e drejtësisë.

Në mesin e të akuzuarve ka edhe kosovarë, të cilët edhe kishin plaçkitur trupat e të vrarëve e shtëpitë në Meje.

“Punonjësit kosovar të policisë lokale gjithashtu po punonin në pikën e kontrollit në Meje. Përveç të pandehurit Muharrem Ibraj, i pandehuri Marjan Abazi dhe i pandehuri Salit Halitaj ishin gjithashtu anëtarë të kësaj force lokale të policisë. I pandehuri Muharrem Ibraj është parë duke dalë nga shtëpia Hasani, ku të burgosurit ishin ekzekutuar më parë. Ai dhe i pandehuri Marjan Bazi janë parë gjithashtu pasdite nga Nike Peraj në pikën e kontrollit.” – Aktakuza.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në dhjetor të 2023 ngriti aktakuzë për masakrën e Mejës, por që më pas iu kërkuar nga Gjykata që të e plotësojë ndryshojë të njëjtën.