Caktohen seancat e Apelit në rastin ndaj Pjetër Shalës

Pjetër Shala ka apeluar vendimin e Themelores së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e cila e dënoi me 18 vjet burgim për krime lufte. Si rrjedhojë, 15 dhe 16 maji 2025 janë caktuar për mbajtjen e seancave të Apelit në këtë rast.

Sipas vendimit, në ditën e parë, seanca do të fillojë nga ora 13:30 deri në 17:10, ndërsa në ditën e dytë nga ora 10:00 deri në 11:35.

Në vendim thuhet se këto data janë caktuar pasi kanë përfunduar të gjitha afatet për dorëzimin e dosjeve nga palët. Aty thuhet se më 4 shkurt 2025 ka përfunduar dorëzimi i dokumenteve nga palët.

Sipas agjendës, më 15 maj është planifikuar që 10 minuta të jetë deklarata hyrëse të kryegjyqtares, pastaj do të vijohet për një orë e 30 minuta me paraqitje nga mbrojtja. Pas pushimit 30 minuta, seanca pritet të vazhdojë për 1 orë e 30 minuta me parashtrimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Parashtrimet e mbrojtjes së viktimave do të bëhen për një orë në fillim të seancës së 16 majit. Pastaj, 20 minuta janë planifikuar hapësirë për mbrojtjen, për përgjigje.

Të drejtën e fjalës e ka edhe vetë Shala, e që në rast se dëshiron që ta shfrytëzojë këtë të drejtë, i janë planifikuar 10 minuta për këtë.

Seanca pritet të përfundojë me deklaratën përfundimtare të kryetares së trupit gjykues, e cila është paraparë të zgjasë rreth pesë minuta.

Veç kësaj, në vendim është udhëzuar mbrojtja që deri më 5 maj në orë 16:00 të tregojë në rast që Shala dëshiron që të marrë pjesë në seancë.

Ndryshe, më 28 mars 2025 është hedhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes që në Apel të thirret Sokol Dobruna si dëshmitar i saj.

Në vendimin e saj, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard ka thënë se provat e propozuara nuk do të ndikonin në aktgjykimin ndaj Shalës në rast që ato do të ishin pranuar gjatë gjykimit në shkallë të parë, ku Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.

Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.

Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër.

Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës. Ndërsa, aktualisht Shala është në proces të Apelit lidhur me këtë rast pasi që ka kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.