Cakolli: Zgjedhjet janë më pranë se gjetja e një zgjidhjeje për formimin e qeverisë së re

Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në KDI, ka paralajmëruar se vendi së shpejti mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se partitë ish opozitare duket se s’kanë interes për t’u futur në koalicion me VV-në, por që kjo e fundit mund të bëjë diskutime individuale me deputetë.

“Më 26 tetor është dita e fundit kur në Kuvend duhet të propozohet përbërja e qeverisë së re. Megjithatë situata është e polarizuar dhe e paparashikueshme, pasi partitë ish opozitare duket se nuk kanë asnjë interes për t’u futur në koalicion qeverisës si subjekte politike, kjo nuk e përjashton mundësinë e diskutimeve individuale me deputetë”, ka thënë ai.

Por, sipas tij kjo është problematike sepse qeveria do të mund të zgjaste vetëm 4-5 muaj, për shkak të çështjes së presidentit.

“Por që problemi në një variant të tillë është fakti që e bën të paqëndrueshme qeverinë, e aq më pak që deri më 5 mars të vitit të ardhshëm Kosova duhet ta zgjedh presidentin e ri, andaj edhe një qeveri eventuale e ka një jetëgjatësi eventualisht 4-5 muaj”, ka theksuar Cakolli

Andaj, ai vlerëson se zgjedhjet janë më afër se sa gjetja e një zgjidhjeje për formim të qeverisë së re.

Sipas tij, zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të mbahen në fund të nëntorit apo në mes të dhjetorit.

“Kësisoj unë besoj se në situatën aktuale zgjedhjet duken më të afërta se gjetja e një zgjidhje të kompozicionit aktual të kuvendit në kuptim të numrave, prandaj unë besoj se gjasat janë më të mëdha për zgjedhje, veçse dallon nëse do të kemi zgjedhje në fund të muajit nëntor, në mes të muajit dhjetor apo nëse do të ketë përpjekje edhe 15 ditë që të formohet qeveria dhe që zgjedhjet të mbahen nga fundi i këtij viti”, ka deklaruar Eugen Cakolli nga KDI.