Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik ka reaguar ndaj diskursit lidhur me parregullsitë zgjedhore, duke kritikuar tendencën e individëve të caktuar për të relativizuar manipulimin e votave përmes krahasimeve partiake.
Cakolli ka shprehur zhgënjimin që pas gjithë zhvillimit shoqëror, debati është degraduar nga militantët partiakë në pyetjen se “kush ka manipuluar më shumë”, duke anashkaluar pyetjen thelbësore se a ka pasur manipulim apo jo.
Sipas tij, është absurde logjika që justifikon keqpërdorimin me faktin se pala tjetër ka keqpërdorur më shumë.
“Mos me ta marrë mendja që, pas gjithë këtij “zhvillimi shoqëror”, vijmë në pikën kur militantët e hibridët partiak relativizojnë manipulimin e votave duke u përpjekë me zhvendosë debatin te “kush ka manipuluar më shumë”, e jo te pyetja thelbësore: a ka pasur manipulim apo jo.
Madje, për disa, paska ma shumë rëndësi gjatësia e kolonave në grafe sesa faktet, emrat dhe numrat konkretë. Logjika e tyre është e tipit “po, kemi keqpërdorë, po tjerët edhe ma shumë”.
Çdo përpjekje me e kthy krimin elektoral në garë krahasimore partiake është ose padituri, ose mbrojtje e hapur e hajnisë. Në të dyja rastet, është pjesë e problemit. Sepse përgjegjësi duhet me dhanë krejt, për secilën votë – dhe në burg duhet me përfundu secili që ka manipulu, pa përjashtim.”









