Cakolli: Shumë kandidatë për kryetarë të komunave do të mund të përcaktohen nga votat e diasporës

Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se në zgjedhjet lokale të 12 tetorit shumë kandidatë për kryetarë të komunave do të mund të përcaktohen nga votat e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

Në një postim në Facebook, ai ka treguar edhe dhjetë komunat e vendit të cilat e kanë numrin më të lartë të votuesve nga jashtë.

“Në mesin e 10 komunave me përqindjen më të lartë të votuesve jashtë vendit në raport me numrin e përgjithshëm, asnjë prej tyre s’janë komuna të ‘mëdha’. Aty përfshihen: Juniku (21.95%), Malisheva (10.59%), Mamusha (8.64%), Hani i Elezit (6.67%), Istogu (5.51%), Dragashi (5.34%), Deçani (5.30%), Kaçaniku (4.15%), Shtimja (3.53%) si dhe Kamenica (3.87%),” ka thënë Cakolli.

I njëjti ka shtuar se në pothuajse secilën prej këtyre 10 komunave, por edhe në plot të tjera, numri i votuesve jashtë vendit për këto zgjedhje është më i madh (ose i përafërt) se diferenca në vota mes dy kandidatëve të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

“Prandaj, përveç faktit që numri i votuesve shkon mbi 2 milion – gati 100 mijë më shumë se më 9 shkurt – mjaft ‘interesante’ do të jenë edhe statistikat dhe rezultatet e votimit jashtë vendit,” u shpreh Cakolli.