Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Eugen Cakolli, ka reaguar ashpër ndaj mungesës së veprimit nga Prokuroria lidhur me manipulimet e dyshuara të votave në disa komuna të vendit, duke thënë se në disa raste ato kanë marrë “përmasa industriale”.
Cakolli theksoi se emrat e komisionerëve për çdo tavolinë të numërimit në Qendrën e Numërimit janë të njohur dhe se manipulimet e identifikuara – me dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim e mijëra në nivel komune – nuk mund të konsiderohen as gabime njerëzore e as rastësi.
Sipas tij, këto ndërhyrje nuk janë kryer vetëm nga komisionerët, por ka gjasa të jenë pjesë e skemave më të gjera që potencialisht përfshijnë edhe vetë kandidatë të caktuar, sidomos kur manipulimet lidhen drejtpërdrejt me komunat e tyre.
“Hetimi duhet t’i përfshijë pashmangshëm edhe kandidatët,” deklaroi Cakolli, duke kërkuar nisjen urgjente të ndjekjeve penale për të zbardhur përgjegjësit pas këtyre parregullsive.










